Mbi 300 amendamente për Buxhetin 2027, sot nis debati në Komisionin parlamentar
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sot në orën 11:30, fillon debati me amendamente për Propozim-Buxhetin për vitin 2027, në Komisionin për Financim dhe Buxhet. Për këtë dokument janë dorëzuar mbi 300 amendamente.
Gjatë debatit të përgjithshëm në ditët e kaluara, deputetët e shumicës parlamentare e kanë vlerësuar Propozim-Buxhetin si një kornizë për menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, përmbushjen me kohë të detyrimeve ndaj qytetarëve dhe realizimin e programeve zhvillimore të shtetit.
Sipas shumicës, bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor, të orientuar drejt rritjes ekonomike, investimeve kapitale dhe përmirësimit të standardit të jetesës.
Nga ana tjetër, opozita vlerëson se projeksionet e Qeverisë nuk pasqyrojnë gjendjen reale ekonomike. Sipas saj, deficitet dhe huamarrjet e rritura vënë në pikëpyetje karakterin zhvillimor të buxhetit, ndërsa shpenzimet kapitale janë të pamjaftueshme dhe investimet e paralajmëruara nuk janë të mbështetura me mjete përkatëse në zërat buxhetorë.
Të hyrat 395,4 miliardë, shpenzimet 440,4 miliardë denarë
Sipas Propozim-Buxhetit për vitin 2027, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 5,7 për qind krahasuar me vitin 2026.
Shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 440,4 miliardë denarë, ose 4,8 për qind më shumë se në vitin paraprak.
Deficiti buxhetor është planifikuar në 45 miliardë denarë, që përfaqëson 3,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe është në përputhje me Strategjinë Fiskale për periudhën 2027–2031.
Për investime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë, ndërsa të hyrat tatimore janë projektuar në 223,1 miliardë denarë, me rritje prej 6,4 për qind.
Për transferet sociale janë paraparë 220,8 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 4,1 për qind. Prej kësaj shume, 123,8 miliardë denarë janë dedikuar për pagesën e pensioneve, me rritje prej 4,8 për qind, në përputhje me harmonizimin ligjor.
Flaka Media















