“Qeveri xhelate ndaj popullit të vet!“ – Mecinoviq akuzon pushtetin për mbrojtjen e oligarkisë
Deputeti i së Majtës (Levica), Amar Mecinoviq, ka kritikuar ashpër politikat ekonomike dhe sociale të Qeverisë, duke akuzuar pushtetin se mbron interesat e oligarkisë, ndërsa qytetarët i lë përballë pagave të ulëta, varfërisë dhe emigrimit.
„Qeveria do të bëjë gjithçka, përveçse të godasë oligarkinë që e shtrydh popullin maqedonas tashmë prej tridhjetë vitesh“, deklaroi Mecinoviq, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me Rezolutën e sapomiratuar për Politikën e Migracionit për periudhën 2026–2030.
Sipas tij, politikat e migracionit nuk mund të shqyrtohen të shkëputura nga gjendja e rëndë e punëtorëve vendorë, pagat e ulëta, largimi i qytetarëve dhe modeli ekonomik që, siç tha, mbron interesat e më të pasurve, ndërsa qytetarëve nuk u garanton kushte themelore për një jetë dinjitoze.
„Për tre vjet nuk e rrit pagën minimale. Qeveri xhelate ndaj popullit të vet!“, deklaroi Mecinoviq, duke kritikuar raportin e VMRO-DPMNE-së ndaj punëtorëve dhe sindikatave.
Ai veçoi edhe përplasjet e pushtetit me përfaqësuesit sindikalë lidhur me përmbajtjen e shportës konsumatore, duke e krahasuar situatën me një supermarket ku Qeveria ia heq qytetarit produktet bazë nga shporta dhe më pas përpiqet ta bindë se ato nuk i nevojiten.
Mecinoviq paralajmëroi se ekonomia e Maqedonisë po shkon drejt humnerës, ndërsa qarqet oligarkike vendore sillen sikur vendi të ishte Monako apo Silicon Valley.
Në këtë kontekst, ai ngriti çështjen e tatimit progresiv, duke akuzuar Qeverinë se nuk ka guxim ta zbatojë, pasi nuk dëshiron të prekë interesat e shtresave më të pasura.
Sipas deputetit të Levicës, pasuria e oligarkisë vendore është krijuar falë infrastrukturës, tregut dhe punës së punëtorëve maqedonas. Megjithatë, në vend që një pjesë e kësaj pasurie të kthehet në buxhet dhe të investohet në zhvillimin ekonomik, Qeveria vazhdon të mbajë modelin ekzistues në interes të kapitalit të madh.
Duke folur për politikat e migracionit dhe importin e fuqisë së huaj punëtore, Mecinoviq ngriti edhe çështjen e politikave evropiane të njohura si „Third Country Hubs“, duke paralajmëruar se Maqedonia nuk duhet të shndërrohet në terren për zgjidhjen e problemeve të shteteve të tjera.
Ai theksoi se për këto politika në Bashkimin Evropian po zhvillohet debat i hapur politik, ndërsa në Maqedoni, sipas tij, çështjet po fshihen pas ndryshimeve të rregulloreve dhe ligjeve, pa një debat thelbësor publik.
Deputeti paralajmëroi gjithashtu se politika të tilla mund të krijojnë presion shtesë mbi fuqinë punëtore vendore dhe të thellojnë emigrimin.
Sipas Mecinoviqit, këtu qëndron edhe kundërthënia kryesore e politikës ekonomike dhe migratore të Qeverisë: në njërën anë nuk krijohen kushte për jetë dinjitoze për qytetarët vendas, ndërsa në anën tjetër hapet rruga për importimin e fuqisë së huaj punëtore. Flaka















