Nxënës dhe studentë në pesë qytete të Kroacisë bojkotojnë mësimin – protestojnë kundër kostos së jetesës dhe militarizimit
Nxënës dhe studentë në pesë qytete të Kroacisë po zhvillojnë sot bojkot njëditor të mësimit, duke iu bashkuar grevës ndërkombëtare të të rinjve. Përmes këtij aksioni, ata synojnë të tërheqin vëmendjen ndaj kostos së lartë të jetesës, problemeve me banimin, gjendjes së shërbimeve publike dhe militarizimit.
Greva e të rinjve në Kroaci organizohet nga iniciativa me të njëjtin emër dhe është pjesë e lëvizjes ndërkombëtare “Greva Ndërkombëtare e të Rinjve”. Nën sloganin “Për të ardhmen tonë, jo për luftërat e tyre”, protesta janë paralajmëruar në 25 vende evropiane.
Organizatorët thonë se përmes bojkotit njëditor duan të tërheqin vëmendjen e opinionit publik dhe të Qeverisë ndaj problemeve me të cilat përballen të rinjtë në Kroaci.
“Me bojkotin e mësimit gjatë gjithë ditës, duam t’i dërgojmë një mesazh të qartë opinionit më të gjerë dhe Qeverisë – të rinjtë duan një të ardhme në Kroaci, na e mundësoni atë!”, thuhet në komunikatën e organizatorëve drejtuar mediave.
Ndër kërkesat kryesore të iniciativës janë sigurimi i banesave më të përballueshme dhe financiarisht të kapshme për të rinjtë, ulja e kostos së jetesës, si dhe përmirësimi i cilësisë së sistemit shëndetësor, arsimit dhe shkencës.
Ata angazhohen gjithashtu për çmilitarizim, zgjidhjen e problemit të shkatërrimit të mjedisit jetësor dhe parandalimin e një ekocidi të ardhshëm.
Sipas paralajmërimit të organizatorëve, në grevë pritet të marrin pjesë nxënës dhe studentë nga disa shkolla të mesme dhe kolegje në Zagreb, Rijekë, Pulë, Zarë dhe Osijek.
Lista e institucioneve arsimore që do t’i bashkohen bojkotit ende nuk është publikuar. Organizatorët kanë paralajmëruar se atë do ta bëjnë të ditur në prag të grevës, përmes profilit të tyre në Instagram.
Flaka















