VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në dhe Filipçen për heshtje lidhur me Alta Bankën në vitin 2023
VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në dhe kryetarin e saj, Venko Filipçe, se kanë krijuar panik lidhur me rastin e Alta Bankës, ndërsa nuk kanë reaguar në kohën kur kanë qenë në pushtet dhe kur, sipas partisë, janë marrë vendime që lidhen me këtë çështje.
„LSDM dhe Filipçe përhapnin panik për Alta Bankën, shtiren sikur janë të shqetësuar për qytetarët dhe stabilitetin e sektorit bankar, por vetëm pas 10 ditësh e thirrën seancën e parë mbikëqyrëse, ndërsa të dytën dy javë pas së parës“, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti vlerësojnë se sjellja e opozitës dëshmon mungesë serioziteti dhe përgjegjësie.
„Kaq ishte urgjenca e pretenduar e LSDM-së dhe Filipçes, kaq ishte serioziteti i temës, e aq më pak serioziteti dhe përkushtimi i opozitës. LSDM dhe Filipçe bënë shumë zhurmë, por kanë shumë pak punë dhe edhe më pak përgjegjësi“, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Partia në pushtet kërkon nga Filipçe dhe LSDM-ja të japin përgjigje se përse kanë heshtur në vitin 2023, kur LSDM-ja dhe BDI-ja ishin në pushtet.
Sipas VMRO-DPMNE-së, në atë periudhë funksionarë të tyre kanë marrë pjesë në procedura që lidhen me përfshirjen e Avokaturës Shtetërore në marrëdhënie afariste me Alta Bankën.
„Pse LSDM-ja dhe Filipçe heshtën atëherë? A kanë kryer kontrolle? Kush e ka shqyrtuar dokumentacionin? Kush ka dhënë pëlqim dhe mbi bazën e cilave informacione? Nëse kanë pasur dyshime, pse nuk kanë reaguar atëherë, por vetëm tani, kur janë në opozitë?“, pyet VMRO-DPMNE.
Nga partia shtojnë se Filipçe dhe LSDM-ja nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë për vendimet e marra gjatë kohës kur kanë qeverisur vendin.
„LSDM-ja nuk mund të heshtë në vitin 2023, ndërsa sot të mbajë leksione për përgjegjësinë“, përfundon reagimi i VMRO-DPMNE-së.
Flaka Media















