Dy persona dhe dy kompani në Ohër akuzohen për vdekjen e punëtorit në kantier ndërtimi
Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave fizikë dhe dy personave juridikë, lidhur me vdekjen e punëtorit Kristijan Ljushev, i cili humbi jetën pasi ra në hapësirën e ashensorit në një ndërtesë në ndërtim e sipër.
Të akuzuarit ngarkohen me veprat penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Shkelje e të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Mosmarrja e masave për mbrojtje gjatë punës”.
Sipas Prokurorisë, personi i parë i akuzuar, si person përgjegjës në njërën prej kompanive, në cilësinë e investitorit nuk kishte respektuar rregullat teknike dhe masat e sigurisë gjatë ndërtimit të objektit.
Edhe pse ndërtesa ishte ende në ndërtim, ai nuk kishte siguruar hapësirën e ashensorit me rrethojë mbrojtëse, nuk kishte mirëmbajtur kantierin pa mbeturina dhe materiale të panevojshme, nuk kishte siguruar hyrjen e objektit për të parandaluar hyrjen e personave të paautorizuar dhe nuk kishte vendosur parmakë mbrojtës në shkallë.
Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 12 janar, në orët e mëngjesit. Katër punëtorë të angazhuar nga kompania e dytë e akuzuar kishin hyrë në ndërtesë për të bartur një pjesë të mobilieve.
Kur kishin arritur në katin e katërt, njëri prej punëtorëve ishte penguar me këmbë në një kovë të lënë në korridor, kishte humbur ekuilibrin dhe kishte rënë në hapësirën e ashensorit, nga kati i katërt deri në bodrum. Ai kishte pësuar lëndime shumë të rënda trupore dhe kishte ndërruar jetë në vendngjarje, përcjell Flaka.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe kompania që kishte angazhuar punëtorët dhe drejtuesi i saj, pasi, sipas Prokurorisë, nuk kishin respektuar me vetëdije dispozitat e marrëdhënieve të punës dhe masat për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Prokuroria bën të ditur se Kristijan Ljushev ishte angazhuar pa kontratë pune, në marrëdhënie pune tërësisht të paregjistruar. Ai kishte kryer detyrat si ndihmës-montues pa trajnim bazë për sigurinë dhe shëndetin në punë, pa kontroll mjekësor dhe pa udhëzime për punën në kushte specifike dhe me rrezik të shtuar.
Punëtorët kishin punuar vetëm mbi bazën e një urdhri verbal nga drejtuesi i kompanisë, pa u kryer paraprakisht inspektimi dhe vlerësimi i mjedisit të punës. Objekti ku kryenin punën ishte në ndërtim dhe paraqiste rrezik të shtuar për sigurinë e tyre.
Përveç aktakuzës, prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore në Ohër caktimin e masës së sigurimit, përkatësisht ndalimin e ndryshimeve statusore në të dy kompanitë e akuzuara, me qëllim parandalimin e ndryshimit të statusit juridik dhe tjetërsimit të pasurisë gjatë zhvillimit të procedurës.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Flaka Media















