Bekim Qoku u prezantua si zëvendëskryetar i Komitetit, BDI thotë se funksioni nuk ekziston
BDI ka akuzuar VLEN-in për keqpërdorim të funksioneve parlamentare, pasi deputeti Bekim Qoku, gjatë një takimi me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, më 19 nëntor, është prezantuar si zëvendëskryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Sipas BDI-së, Qoku nuk e ushtron këtë funksion, pasi Komiteti deri më tani ka zgjedhur vetëm kryetarin, ndërsa pozita e zëvendëskryetarit ka mbetur e paplotësuar.
Në reagimin e saj, BDI thekson se edhe në faqen zyrtare të Kuvendit, Bekim Qoku figuron si anëtar i Komitetit, ndërsa në njoftimin zyrtar për takimin me përfaqësuesin e OSBE-së është cilësuar po ashtu si anëtar.
Partia opozitare pretendon gjithashtu se Komiteti nuk është mbledhur që nga 4 qershori, kur, sipas saj, VLEN-i imponoi zbatimin e të ashtuquajturit Badinter i vogël për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Për këtë çështje, Fronti Evropian i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe kryetarit të Komitetit, Adnan Azizi, duke kërkuar korrigjimin e njoftimit dhe informimin e OSBE-së për statusin e funksionit, thirrjen e mbledhjes brenda 15 ditësh për zgjedhjen e zëvendëskryetarit, si dhe nisjen e procedurës sipas Kodit të Sjelljes Etike të Deputetëve.
BDI vlerëson se Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nuk duhet të përdoret për qëllime protokollare apo politike, por të funksionojë në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese.
Fronti Evropian ka paralajmëruar se për këtë çështje do ta informojë edhe Kabinetin e Komisionerit të Lartë të OSBE-së dhe partnerët ndërkombëtarë.
Reagimi përbën qëndrimin e BDI-së dhe Frontit Evropian. Flaka















