Zjarri në spitalin “8 Shtatori” – Arsyeja!
Zjarri që shpërtheu mëngjesin e sotëm në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup është shuar, ndërsa të gjithë pacientët dhe punonjësit janë të sigurt, njoftojnë nga spitali.
Sot rreth orës 10:35, punonjësit në katin e parë të spitalit kanë ndier erë tymi dhe kanë vërejtur tym që dilte nga tarraca e Repartit të Ortopedisë dhe Traumatologjisë, i cili ndodhet në katin e dytë.
“Menjëherë janë njoftuar drejtuesi i repartit dhe ekipi për evakuim. Falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të personelit, të gjithë pacientët nga reparti janë evakuuar në mënyrë parandaluese dhe të sigurt, si dhe janë sistemuar. Zjarri është shuar me pajisjet kundër zjarrit të spitalit, ndërsa është thirrur edhe shërbimi zjarrfikës”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Nga institucioni bëjnë të ditur se në vendin ku ka shpërthyer zjarri nuk ka instalime elektrike apo të gazit, ndërsa dëmi material është i papërfillshëm.
Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një bisht cigareje. Megjithatë, shkaku i saktë dhe rrethanat e ngjarjes janë ende duke u hetuar.
Të gjithë pacientët dhe punonjësit janë jashtë rrezikut, ndërsa spitali vazhdon punën e rregullt.















