ASH: VLEN nuk i përfaqëson interesat e shqiptarëve, është shndërruar në vasal politik të VMRO-DPMNE-së
Aleanca për Shqiptarët akuzon koalicionin VLEN për nënshtrim politik ndaj partnerit qeveritar, heshtje për përfaqësimin e shqiptarëve dhe mosrealizim të premtimeve për punësime. Sipas të dhënave që prezanton ASH, nga 515 punësime në nëntë institucione shtetërore, vetëm 19 janë shqiptarë.
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka kritikuar ashpër koalicionin VLEN për mënyrën e qeverisjes në partneritet me VMRO-DPMNE-në, duke vlerësuar se pas gati dy viteve e gjysmë në pushtet është dëshmuar se ky koalicion nuk i përfaqëson interesat e shqiptarëve.
Në një reagim publik, ASH pretendon se VLEN erdhi në pushtet me premtime për ndryshim, zhvillim, punësime dhe integrim, por se prioritetet e tij kanë qenë pushteti, privilegjet dhe pozitat.
“Pa fuqi reale vendimmarrëse dhe pa autonomi politike, drejtuesit e VLEN-it janë shndërruar në vasalë politikë të partnerit qeveritar”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Sipas ASH-së, ndërkohë që përfaqësimi i shqiptarëve në institucione po përkeqësohet dhe gjuha shqipe po nënvlerësohet, VLEN nuk po reagon.
“Qytetarët me të drejtë pyesin se interesat e kujt po mbrojnë dhe me çfarë të drejte vazhdojnë të flasin në emër të shqiptarëve?”, theksojnë nga kjo parti.
Një pjesë të veçantë të kritikave, ASH ia kushton edhe heqjes së mekanizmit të Balancuesit, i cili shërbente për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në punësimet në institucionet publike.
“VLEN pranoi heqjen e Balancuesit, mekanizmit që, pavarësisht mangësive, shërbente për të mbrojtur përfaqësimin e drejtë në punësim, duke premtuar zëvendësimin e tij me ligj të ri. Sot, ku është ai ligj? Ku është përfaqësimi i drejtë?”, pyet ASH.
Partia opozitare pretendon se edhe premtimi për mbi 2.000 punësime ka përfunduar me rezultate shqetësuese sa i përket përfaqësimit etnik.
Duke iu referuar të dhënave për punësimet në nëntë institucione shtetërore, ASH thotë se nga gjithsej 515 të punësuar, 496 janë maqedonas dhe vetëm 19 shqiptarë, që përbën 3,7 për qind.
“Vetëm në Spitalin e Kumanovës, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Akademinë Ushtarake, nga 171 të punësuar, asnjë nuk është shqiptar. Në Institutin e Shëndetit Publik, nga 63 të punësuar, vetëm tre janë shqiptarë”, thuhet në reagim.
Duke i konsideruar këto shifra si dëshmi të mospërmbushjes së premtimeve qeveritare, ASH parashtron një sërë pyetjesh për partnerin shqiptar në Qeveri.
“A është ky përfaqësimi i drejtë që premtuat? A është ky ndryshimi për të cilin kërkuat votën? Shqiptarët që ju besuan nuk e meritojnë këtë poshtërim”, theksohet në reagim.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi politike për çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Përgjigjen e merituar do ta merrni nga qytetarët me votë. Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të kërkojë llogari dhe të luftojë për përfaqësim të drejtë, barazi reale dhe dinjitet në çdo institucion”, përfundon reagimi i ASH-së.















