90 mijë denarë për mbijetesë mujore, përplasje politike për standardin dhe Alta Bankën
Kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të rritet, ndërsa standardi jetësor i qytetarëve po përballet me presion gjithnjë e më të madh. Shporta minimale sindikale në nëntor ka arritur në 70.827 denarë, 469 denarë më shumë se muajin paraprak. Ndërkohë, paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes nga fillimi i vitit 2027 kanë nxitur reagime politike dhe akuza të ndërsjella mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Sipas opozitës maqedonase, LSDM-së, me përfshirjen e qirasë për një banesë, vlera e shportës minimale arrin në rreth 90.000 denarë, shumë që, sipas kësaj partie, nuk mund të mbulohet as me tri paga minimale.
Nga LSDM-ja theksojnë se vetëm për ushqim dhe pije një familjeje i nevojiten rreth 26.000 denarë në muaj, ndërsa rritja e vazhdueshme e çmimeve po e vështirëson gjithnjë e më shumë përballimin e shpenzimeve themelore.
„Jeta e qytetarëve po shtrenjtohet, standardi po bie. Vetëm për ushqim dhe pije një familjeje i nevojiten plot 26.000 denarë në muaj. Nga fillimi i vitit 2027 paralajmërohen edhe shtrenjtim i ri i energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore, që do të jetë një goditje tjetër për standardin tashmë të ulët të qytetarëve“, akuzojnë nga LSDM-ja.
Sipas opozitës, problemi kryesor qëndron në faktin se pagat nuk po e ndjekin ritmin e rritjes së çmimeve, duke bërë që familjet të përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të përmbushur nevojat mujore.
VMRO-DPMNE: LSDM po krijon panik edhe për Alta Bankën
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja i ka hedhur poshtë akuzat e LSDM-së lidhur me rastin e Alta Bankës, duke e akuzuar opozitën se po përpiqet të krijojë skandal politik nga një procedurë publike dhe transparente.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, deklaroi se LSDM-ja, në vend që të përqendrohet në çështjet reale, po përpiqet të paraqesë një ankand publik si marrëveshje të fshehtë.
„Populli mezi po ia del të lidhë muajin me muajin, sepse pagat nuk i ndjekin shtrenjtimet. Filipçe dhe LSDM-ja po përpiqen të krijojnë skandal nga asgjëja me Alta Bankën. Ata përsëri akuzojnë për njëfarë skandali, duke tentuar ankandin publik ta paraqesin si ndonjë marrëveshje të fshehtë“, deklaroi Manasievski.
Ai theksoi se procedura e shitjes është publikuar dhe se bëhet fjalë për më shumë se 95 për qind të aksioneve, të cilat do të shiten përmes Bursës së Maqedonisë.
Sipas Manasievskit, ankandi i parë është caktuar për 30 nëntor, me çmim fillestar prej 3.777 denarësh për aksion, ndërsa publikisht janë bërë të ditura edhe datat dhe rregullat për ankandet e ardhshme.
„Procedura është publikuar publikisht. Në shitje janë mbi 95 për qind e aksioneve, përmes Bursës së Maqedonisë. Ankandi i parë është caktuar për 30 nëntor, me çmim fillestar prej 3.777 denarësh për aksion. Publikisht janë publikuar edhe datat dhe rregullat për ankandet e ardhshme. Këto janë fakte që secili mund t’i verifikojë“, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së.
Ai shtoi se pas përfundimit të procedurës dhe sqarimit të fakteve, sipas tij, LSDM-ja nuk do të kërkojë falje dhe as nuk do të marrë përgjegjësi për atë që e cilësoi si përhapje të histerisë dhe panikut.
Përderisa dy partitë shkëmbejnë akuza për Alta Bankën, shifrat e shportës minimale sindikale e rikthejnë në qendër të debatit një nga çështjet më të ndjeshme sociale në vend: hendekun ndërmjet të ardhurave të familjeve dhe kostos reale të jetesës. Flaka















