Protestë në Kriva Pallankë, përplasje mes qytetarëve dhe policisë për lopët endacake
Policia ka vendosur sot një kordon në magjistralen Kriva Pallankë – Deve Bair dhe në rrugën “Shën Joakim Osogovski”, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve gjatë protestës së paralajmëruar në Kriva Pallankë.
Protesta u organizua për shkak të problemit me më shumë se një mijë lopë që lëvizin të pakontrolluara nëpër qytet dhe rrethinë, duke shkaktuar dëme në të mbjellat bujqësore dhe pronat private, si dhe shqetësim për sigurinë e banorëve.
Gjatë protestës është regjistruar edhe një përplasje fizike, përkatësisht shtyrje mes disa qytetarëve dhe pjesëtarëve të policisë që siguronin hapësirën. Deri më tani nuk dihen shkaqet që çuan në këtë incident.
Në protestë morën pjesë kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, si dhe deputeti i së Majtës, Borislav Kërmov. Ky i fundit qëndronte pas kordonit policor, së bashku me deputetin e LSDM-së, Lupço Nikollovski.
Protestën e kishte paralajmëruar kryetari i komunës, Mitovski, i cili një ditë më parë, përmes një fotografie nga përgatitjet në rrjetet sociale, kishte premtuar se qytetarët nuk do të liheshin vetëm në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se protesta përfundoi pa incidente më serioze të rendit dhe qetësisë publike.
„Ju informojmë se gjatë protestës së sotme të paralajmëruar në Kriva Pallankë, MPB-ja vendosi kordon në magjistralen Kriva Pallankë – Deve Bair dhe në rrugën ‘Shën Joakim Osogovski’, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve. Protesta përfundoi pa shkelje më serioze të rendit dhe qetësisë publike“, njoftojnë nga MPB-ja.
Ndërkohë, nga partia E Majta akuzuan institucionet për mosveprim, duke pretenduar se për bagëtinë ekzistojnë vendime për konfiskim që nga viti 2024, por problemi ende nuk është zgjidhur.
Sipas kësaj partie, banorët janë detyruar të dalin në protesta për shkak të mungesës së një zgjidhjeje institucionale, ndërsa kërkojnë ndërhyrje konkrete për të ndaluar dëmet në pronat dhe tokat bujqësore.
Flaka















