“Humbjen tonë askush nuk e vlerëson, shpresa jonë janë prokurorët” – Prindërit e viktimave të “Pulsit” të zhgënjyer nga gjykimi
Familjet e 63 personave që humbën jetën në zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan vazhdojnë të përballen jo vetëm me dhimbjen e humbjes, por edhe me pasigurinë dhe lodhjen që po u shkakton procesi gjyqësor. Prindërit druhen se numri i madh i dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja mund ta zgjasë edhe më shumë gjykimin dhe ta largojë momentin kur do të vendoset drejtësia për fëmijët e tyre.
Pakënaqësinë e tyre ndaj rrjedhës së procesit, veçanërisht ndaj sjelljes së një pjese të avokatëve të të akuzuarve dhe disa prej provave të paraqitura nga mbrojtja, e kanë shprehur Tomçe Stojanov dhe Aleksandar Naunov, dy baballarë që humbën fëmijët në tragjedinë e 16 marsit 2025. Ata folën për këto shqetësime në emisionin “Noќno studio” në 4TV, ndërsa deklaratat e tyre i ka publikuar edhe 4news.mk.
Sipas familjarëve, propozimi i mbrojtjes për më shumë se 200 dëshmitarë, ndonëse disa prej propozimeve janë tërhequr gjatë procedurës, ngre shqetësime për zvarritjen e mundshme të gjykimit. Prindërit dyshojnë se një numër kaq i madh dëshmitarësh mund të përdoret për të fituar kohë dhe për ta shpërndarë vëmendjen nga thelbi i çështjes.
I pyetur nëse mendon se propozimi i shumë dëshmitarëve bëhet me qëllim të zgjatjes së procesit, njëri nga prindërit u përgjigj:
“Pikërisht, vetëm për këtë. Procesi po zvarritet dhe e gjithë situata po shpërndahet”.
Familjet theksojnë se çdo seancë e re është një barrë e rëndë psikologjike. Udhëtimet e vazhdueshme nga Koçani në Shkup, ndjekja e dëshmive dhe përballja e përsëritur me hollësitë e natës tragjike ua thellojnë edhe më shumë dhimbjen.
“Askush nuk na pyet se si po i përballojmë seancat gjyqësore, si jemi një ditë para tyre dhe si ndihemi kur vijmë në gjykim”, shprehen prindërit, duke kritikuar mungesën e ndjeshmërisë ndaj gjendjes së familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Humbjen tonë askush nuk e vlerëson, askujt nuk i intereson. Shpresa jonë e vetme janë prokurorët”, deklaroi Tomçe Stojanov, duke përshkruar zhgënjimin e familjeve nga mënyra se si, sipas tij, po sillen disa pjesëmarrës në procesin gjyqësor.
Ai kritikoi veçanërisht sjelljen e një pjese të avokatëve të të akuzuarve. Sipas Stojanovit, në fillim ata kishin shprehur ngushëllime për familjet, por me kalimin e kohës, në sallën e gjyqit kanë treguar gjithnjë e më shumë arrogancë dhe mungesë tolerance.
“Në fillim shprehnin ngushëllime për humbjen tonë, ndërsa tani tregojnë arrogancë dhe jotolerancë. Për ta janë të rëndësishme paratë, e jo humbja jonë”, tha Stojanov.
Kundërshtime për dëshmitë dhe ekspertizat e mbrojtjes
Një tjetër burim shqetësimi për familjarët janë pretendimet e mbrojtjes se në diskotekë kishte ekzistuar një plan funksional për evakuim dhe se disa nga të pranishmit kishin arritur të dilnin përmes derës së pasme. Prindërit i kundërshtojnë këto pretendime, duke vlerësuar se ato nuk përputhen me provat e paraqitura deri më tani në gjykatë.
Aleksandar Naunov ka drejtuar kritika edhe ndaj ekspertizës së propozuar nga mbrojtja, duke vlerësuar se përmes saj po vihen në pikëpyetje konstatimet e ekipit profesional të Fakultetit të Ndërtimtarisë.
“Ekspertiza e ndërtimtarisë është bërë në mënyrë profesionale. Me fotografi, prova dhe fakte u dëshmua se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Të mohohet e gjithë kjo për ne, prindërit, është e dhimbshme dhe e papërballueshme”, theksoi Naunov.
Ai shprehu besimin te prokurorët, të cilët, sipas tij, po punojnë me përkushtim për zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe prezantimin e provave para gjykatës.
“Ne u besojmë prokurorëve dhe besojmë se do ta çojnë deri në fund këtë punë. E shohim se as ata nuk flenë, as ne. Po bëjnë përpjekje maksimale dhe shpresojmë që drejtësia sa më shpejt të dalë në shesh”, u shpreh Naunov.
Nga ana tjetër, Naunov ka vlerësuar se deri më tani gjykimi po zhvillohet me një ritëm intensiv, me afërsisht një seancë në javë. Ai shprehu shpresën që në periudhën e ardhshme të caktohen edhe më shumë termine, në mënyrë që procedura të mos zgjatet pa nevojë.
Prindërit theksojnë se nuk kërkojnë kufizimin e të drejtave të të akuzuarve dhe as pengimin e mbrojtjes së tyre. Kërkesa e tyre, siç thonë, është që gjykimi të zhvillohet brenda një afati të arsyeshëm dhe vendimi përfundimtar të mbështetet në prova, fakte dhe përgjegjësi të argumentuar.
Pavarësisht rraskapitjes fizike dhe psikologjike, familjet paralajmërojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe përcaktimin e përgjegjësisë për humbjen e më të dashurve të tyre.
Tragjedia që tronditi vendin
Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025, rreth orës 02:35 pas mesnate, gjatë performancës së grupit muzikor DNK. Si pasojë e zjarrit, 63 persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u lënduan.
Sipas të dhënave të përfshira në aktakuzë, zjarri u shkaktua nga shkëndijat e mjeteve piroteknike të aktivizuara gjatë performancës, të cilat ndezën tavanin e objektit. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke krijuar një situatë kaotike dhe duke e vështirësuar largimin e njerëzve nga diskoteka.
Prokuroria pretendon se objekti kishte funksionuar pa i plotësuar kushtet minimale teknike, me parregullsi në dokumentacion dhe në ndërhyrjet e kryera në objekt, si dhe pa sistem adekuat të mbrojtjes nga zjarri. Sipas aktakuzës, në diskotekë kishte më shumë persona sesa lejonte kapaciteti, ndërsa evakuimi ishte vështirësuar edhe për shkak të daljes së ngushtë.
Tragjedia hapi një sërë çështjesh serioze lidhur me sigurinë e objektit, mënyrën e funksionimit të tij, lëshimin e lejeve dhe përgjegjësinë e institucioneve që duhej të kryenin kontrollet dhe të siguronin respektimin e standardeve.
Procesi gjyqësor për këtë rast nisi më 19 nëntor 2025 në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Në bankën e të akuzuarve u ulën 34 persona fizikë dhe tri subjekte juridike. Të akuzuarit përballen me ndjekje penale për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, për veprime dhe mosveprime që, sipas prokurorisë, kanë kontribuar në tragjedi.
Ndërkohë, zhvillohet edhe një procedurë e veçantë kundër zyrtarëve policorë, e lidhur me kontrollet dhe mbikëqyrjen e objektit.
Për familjet e viktimave, gjykimi nuk është thjesht një procedurë juridike. Çdo seancë ua rikthen përpara syve natën kur humbën fëmijët dhe të afërmit e tyre. Megjithatë, ata thonë se do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në gjykatë, duke kërkuar që tragjedia të mos përfundojë vetëm me dhimbjen e tyre, por edhe me zbardhjen e së vërtetës dhe përcaktimin e përgjegjësisë për 63 jetët e humbura. Flaka Media















