Gjendet i vdekur 38-vjeçari në unazën e Shkupit, pranë Smillkovcit
Një 38-vjeçar është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotëm në unazën e Shkupit „Nëna Terezë“, në afërsi të fshatit Smillkovc. Gjatë këqyrjes së trupit janë konstatuar shenja të një plage të shkaktuar nga arma e zjarrit në këmbë, ndërsa rrethanat dhe shkaku i vdekjes ende nuk janë përcaktuar.
Bëhet fjalë për E.SH. nga fshati Lubin i Shkupit. Në afërsi të trupit është gjetur edhe një veturë e tipit „Mercedes“, me targa të Shkupit, të cilën paraprakisht e kishte drejtuar viktima.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se rasti është raportuar sot, më 21 nëntor, në orën 06:15, pas së cilës menjëherë në vendngjarje kanë dalë ekipet policore.
„Më 21.11.2026, në orën 06:15, në SPB Shkup është raportuar se në unazën ‘Nëna Terezë’, në afërsi të fshatit Smillkovc, rajoni i Shkupit, është gjetur një person pa shenja jete. Menjëherë pas denoncimit, në vendngjarje janë drejtuar zyrtarë policorë të SPB Shkup, të cilët kanë konstatuar se bëhet fjalë për E.SH. (38) nga fshati Lubin, rajoni i Shkupit. Në afërsi të trupit është gjetur edhe një veturë ‘Mercedes’ me targa të Shkupit, të cilën paraprakisht e kishte drejtuar“, njoftojnë nga MPB-ja.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe një ekip i Ndihmës së Shpejtë, i cili ka konstatuar vdekjen. Pas këqyrjes fillestare, trupi është dërguar për ekzaminime të mëtejshme.
„Nga Ndihma e Shpejtë është konstatuar vdekja, ndërsa është vërejtur një plagë e shkaktuar nga arma e zjarrit në pjesën e këmbës. Është kryer këqyrja nga ekipi i SPB Shkup. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dërguar në Mjekësinë Ligjore për obduksion. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit“, njoftojnë nga Ministria.
Deri më tani nuk dihet se si kanë ndodhur ngjarja dhe vdekja e 38-vjeçarit, ndërsa obduksioni pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Flaka















