Filipçe: Qeveria i mashtroi qytetarët, energjia elektrike do të shtrenjtohet
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi Qeverinë se ka shkelur premtimin për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar se qytetarët do të përballen me shpenzime të reja për energjinë elektrike dhe ngrohjen qendrore.
Në konferencën e sotme për media, Filipçe tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë edhe në çmimet e produkteve dhe do të ulë më tej standardin jetësor të qytetarëve.
Ai rikujtoi se kryeministri Hristijan Mickoski në shtator kishte deklaruar se energjia elektrike nuk do të shtrenjtohej, ndërsa tani, sipas Filipçes, kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Aco Ristov, ka paralajmëruar rritje të re të çmimit.
„Edhe pse pikërisht ai në shtator premtonte dhe deklaronte se energjia elektrike nuk do të shtrenjtohej, kryetari i Komisionit Rregullator, anëtar i grupit kriminal të VMRO-së, Aco Ristov, bashkëshortja e të cilit është anëtare e Këshillit Gjyqësor, paralajmëroi rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kaq vlejnë politikat e mira ekonomike të kësaj qeverie dhe aq është dëshira e saj për ta ruajtur, e lëre më për ta rritur standardin e qytetarëve“, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, shtrenjtimi i energjisë elektrike për dy deri në tre për qind mund të shkaktojë një valë të re të rritjes së çmimeve të produkteve.
„Çfarë do të ndodhë pas Vitit të Ri? Kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike për dy deri në tre për qind do të shkaktojë sërish shtrenjtimin e pothuajse të gjitha produkteve në vendin tonë“, paralajmëroi kreu i LSDM-së.
Filipçe theksoi se qytetarët tashmë po përballen me kosto të larta të jetesës, ndërsa shporta sindikale ka arritur në 71.000 denarë. Ai vlerësoi se gjendja me buxhetin është e keqe dhe se Qeveria nuk po ndërmerr masa të përshtatshme për mbrojtjen e standardit jetësor.
„Ndodhemi në një situatë katastrofale me buxhetin, të cilën kryeministri përpiqet ta maskojë me demagogjinë e tij të përditshme, të cilën gjithnjë e më vështirë po arrijnë ta shesin kanalet e tij mediatike propagandistike. Njerëzit po e shohin gjithnjë e më shumë se sa e vështirë është të jetohet dhe se nga fillimi i vitit të ardhshëm, me shtrenjtimin e energjisë elektrike, do të shtrenjtohet edhe gjithçka tjetër“, u shpreh Filipçe.
Flaka















