Mickoski paralajmëron tri masa për të rinjtë: Banesa 20% më lirë dhe rritje të vakteve studentore
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar tri masa që synojnë lehtësimin e kushteve të jetesës për të rinjtë, përfshirë çiftet e reja bashkëshortore dhe studentët.
Sipas paralajmërimit të tij, çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare do të kenë mundësi të blejnë banesa me çmime 20 për qind më të ulëta. Gjithashtu, mjetet për vaktin studentor do të rriten për 20 për qind.
Masa e tretë parasheh lirimin nga pagesa e kompensimit për rregullimin e tokës ndërtimore (komunalitë) për çiftet e reja që vendosin të ndërtojnë shtëpi.
„Duam të krijojmë kushte më të mira që të rinjtë ta zgjidhin çështjen e banimit, të fillojnë jetën e tyre familjare dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në Maqedoni“, ka deklaruar Mickoski.
Megjithatë, tri masat për momentin mbeten në nivelin e paralajmërimeve. Në njoftimin e kryeministrit nuk janë bërë të ditur afatet e zbatimit, mënyra e financimit dhe kushtet e hollësishme për përfituesit. Gjithashtu, nuk është specifikuar se cilat banesa do të përfshihen në skemën e uljes së çmimeve.
Mickoski, në të njëjtën paraqitje, e ka cilësuar Unionin e Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së si hapësirë nga e cila burojnë ide të reja, njohuri dhe liderë të ardhshëm. Ai ka theksuar se synimi është krijimi i një Maqedonie ku të rinjtë do të kenë arsye të qëndrojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Kryeministri paralajmëroi edhe një fushatë me moton „Sy më sy për më mirë“, përmes së cilës do të organizohen takime dhe biseda të drejtpërdrejta me qytetarët për problemet, propozimet e tyre, punën e realizuar dhe fushat ku nevojiten përmirësime.
Në të njëjtin njoftim, Mickoski u ndal edhe te dhuna ndaj grave, duke kërkuar parandalim, reagim të fuqishëm institucional dhe përgjegjësi të përbashkët shoqërore.
„Dhuna nuk duhet të ketë ngjyrë politike dhe as të jetë objekt i përplasjeve partiake. Nevojiten parandalim, reagim i fuqishëm institucional dhe përgjegjësi e përbashkët shoqërore“, ka porositur kryeministri.
Flaka















