Kasami dhe Mexhiti presin Kurtin, diskutojnë për përfaqësimin e shqiptarëve
Bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimin politik të shqiptarëve, marrëdhëniet dypalëshe dhe projektet infrastrukturore që lidhin Maqedoninë e Veriut me Kosovën.
Pas takimit, Bilall Kasami ka bërë të ditur se një pjesë e bisedimeve i është kushtuar edhe bashkëpunimit rajonal dhe projekteve të përbashkëta në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
„Bashkë me Izet Mexhitin, e njoftuam kryeministrin për zhvillimet aktuale politike, përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend dhe bashkëpunimin rajonal. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore që lidhin dy shtetet tona“, ka shkruar Kasami në Facebook.
Ai ka theksuar se muaji nëntor i gjen palët të përqendruara në bashkëpunim dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
„Nëntori na gjen bashkë, të fokusuar në punë dhe projekte të përbashkëta, në të mirën e qytetarëve tanë“, ka deklaruar Kasami.
Takimi vjen në kuadër të kontakteve politike dhe bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe institucioneve të Kosovës.
Flaka















