Ndryshon ligji, jo sistemi: Kontributi për shtyllën e dytë pensionale mbetet 6%
Shtylla e dytë pensionale nuk do të shfuqizohet dhe kontributi prej 6 për qind që ndahet për fondet private pensionale do të vazhdojë të zbatohet. Këtë e ka konfirmuar ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Velkovski, duke sqaruar se ndryshimet e propozuara ligjore nuk parashikojnë ndërprerjen e kursimeve të detyrueshme pensionale.
Sipas Velkovskit, me ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor parashihet vetëm transferimi i dispozitës ligjore që përcakton lartësinë e kontributit në një ligj tjetër.
Me nenin 17 të projektligjit propozohet fshirja e nenit 120 ekzistues, i cili rregullon normën e kontributit për shtyllën e dytë pensionale.
„Bëhet fjalë për bartjen e dispozitës ligjore në një ligj tjetër, e jo për shfuqizimin e shtyllës pensionale“, ka theksuar Velkovski.
Norma prej 6 për qind parashihet të rregullohet përmes një neni të ri, 25-a, në Ligjin për Kontributet nga Sigurimi i Detyrueshëm Social. Ndryshimet e propozuara pritet të publikohen në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER).
Për personat e siguruar që janë anëtarë të shtyllës së dytë pensionale, kjo nënkupton vazhdimin e ndarjes së mjeteve në llogaritë e tyre individuale pensionale.
Sipas rregullave aktuale, kontributi i përgjithshëm për sigurimin pensional dhe invalidor është 19,9 për qind e bazës së llogaritjes. Prej kësaj shume, 6 pikë përqindjeje orientohen drejt shtyllës së dytë pensionale, ndërsa 13,9 për qind drejt Fondit Shtetëror të Sigurimit Pensional dhe Invalidor.
Mjetet e shtyllës së dytë menaxhohen nga fondet private pensionale dhe përbëjnë një pjesë të të ardhurave pensionale që anëtarët do të marrin në të ardhmen.
Nga Ministria theksojnë se aktualisht bëhet fjalë për ndryshime të propozuara ligjore, ndërsa përmbajtja përfundimtare do të dihet pas publikimit zyrtar dhe miratimit të tyre.
Flaka















