Kasami: Gjuha shqipe duhet të zyrtarizohet me ndryshime kushtetuese – Zgjidhje për jurisprudencën: Presim rekomandimin e Venecias
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka vlerësuar se koalicioni që përfaqëson ka arritur të realizojë më shumë projekte gjatë dy viteve në pushtet sesa BDI gjatë dy dekadave të qeverisjes. Në një intervistë për emisionin “Verdict” në TVM2, ai ka folur për përfaqësimin e shqiptarëve, statusin e gjuhës shqipe, provimin e jurisprudencës, raportet me Kosovën dhe projektet infrastrukturore.
Duke komentuar përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucione, Kasami tha se BDI për 20 vjet e kishte mbështetur këtë mekanizëm përmes Balancuesit, por nuk kishte arritur ta rregullonte me ligj. Sipas tij, pas rrëzimit të këtij mekanizmi nga Gjykata Kushtetuese, VLEN ka iniciuar një zgjidhje të re ligjore, e cila tashmë ndodhet në procedurë parlamentare.
“BDI për 20 vite arriti ta realizojë këtë përfaqësim përmes Balancuesit, por nuk ishte zgjidhje me ligj. Si rezultat i kësaj, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë mekanizëm dhe ne veçmë kemi në procedurë parlamentare zgjidhjen ligjore”, deklaroi Kasami.
Ai u bëri thirrje deputetëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të komuniteteve të tjera që ta mbështesin ligjin, duke theksuar se, sipas VLEN-it, kjo është mënyra më e mirë për të garantuar përfaqësimin adekuat në institucione.
Për gjuhën shqipe kërkon ndryshime kushtetuese
Një pjesë të intervistës Kasami ia kushtoi edhe statusit të gjuhës shqipe. Ai tha se VLEN e ka përkrahur Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve përmes deputetëve të saj, por theksoi se ky ligj nuk paraqet zyrtarizim të plotë të shqipes.
“Ne nuk themi se nuk është avancim, por nuk është zyrtarizim, sepse zyrtarizimi bëhet me Kushtetutë. Pra, aty ku përmendet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, duhet të përmendet edhe gjuha shqipe dhe alfabeti latin”, tha Kasami.
Ai e cilësoi si kontradiktor qëndrimin e BDI-së për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke pretenduar se kërkesat e kësaj partie për mbajtjen e pjesës praktike në shqip nuk përputhen me zgjidhjen aktuale ligjore.
Sipas Kasamit, nëse BDI do ta kishte rregulluar statusin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, atëherë edhe provimi i jurisprudencës do të mund të zhvillohej në të gjitha fushat në gjuhën shqipe.
Për ZNAM-in: Marrëveshjen e kemi me kryeministrin
Kasami komentoi edhe kundërshtimet e partisë ZNAM për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai tha se kjo parti, të cilën e cilësoi si partnerin më të vogël në Qeveri, nuk është hera e parë që mban qëndrime të tilla për çështjet që lidhen me shqiptarët.
Duke rikujtuar kundërshtimet e mëparshme për vendosjen e flamurit kombëtar në zyrat e institucioneve, Kasami deklaroi se VLEN marrëveshjen për këto çështje e ka me kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Ata janë partneri më i vogël në Qeveri dhe mundohen ta gjejnë veten me kësi deklarata, nuk është hera e parë. E dini sa i përket flamurit kombëtar në zyrat e institucioneve kanë pasur qëndrime të ngjashme. Ata marrëveshjen e kanë me kryeministrin, ne me kryeministrin. Është problem i tyre se a do të vazhdojnë të jenë në Qeveri”, tha Kasami.
Sa i përket provimit të jurisprudencës, ai bëri të ditur se VLEN ka arritur marrëveshje me kryeministrin që zgjidhja ligjore të procedohet në Kuvend pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni i Venecias.
Rrugët Shkup–Prishtinë dhe Tetovë–Prizren
Në intervistë, Kasami foli edhe për bashkëpunimin me Kosovën, duke vlerësuar se komunikimi me kryeministrin Albin Kurti është më i afërt dhe ka mundësuar avancimin e disa projekteve të përbashkëta.
Ai tha se rruga Shkup–Prishtinë tashmë është në fazën e realizimit, ndërsa për rrugën Tetovë–Prizren janë zhvilluar bisedime të avancuara.
Bashkëpunimi, sipas tij, nuk kufizohet vetëm në infrastrukturë, por përfshin edhe projekte energjetike, si furnizimi me thëngjill për kapacitetet termoenergjetike, ndërtimi i një largpërçuesi mes dy vendeve dhe linja e gazit që do të lidhë edhe Kosovën.
Kasami tha se projektet me Kosovën janë avancuar më herët dhe se aktivitetet e përbashkëta në fushën e energjetikës synojnë rritjen e sigurisë energjetike të të dy vendeve.
Stadiumi i Tetovës pritet të përfundojë në fund të vitit 2027
Kryetari i Tetovës foli edhe për ndërtimin e stadiumit të qytetit, duke shprehur pritjen që projekti të përfundojë deri në fund të vitit 2027.
Ai e cilësoi stadiumin si investim kapital me rëndësi për Tetovën, klubin e Shkëndijës dhe sportin në nivel shtetëror.
“Unë besoj, në bazë të dinamikës, që deri në fund të vitit 2027 do të përfundojë me sukses edhe ky projekt kapital dhe i rëndësishëm, jo vetëm për Tetovën, jo vetëm për Shkëndijën, por për të gjithë Maqedoninë”, deklaroi Kasami.
Sipas tij, stadiumi do të jetë i dyti në vend për nga pesha, bukuria dhe rëndësia, pas stadiumit të qytetit të Shkupit, ndërsa do të mundësojë zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të Shkëndijës, klubeve të tjera dhe përfaqësueses së Maqedonisë.















