Pasholli zbulon deklaratën e deputetes së VMRO-së: “Ka përfunduar koha e Ohrit”
Deputetja e BDI-së, Arban Pasholli, ka kritikuar zëvendëskryeministrin e parë, Bekim Sali, për mënyrën e përdorimit të gjuhëve gjatë mbledhjes së Këshillit Nacional për Integrime Evropiane, ku u shqyrtua raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.
E ftuar në emisionin “Debat në SHENJA”, Pasholli tha se është e papranueshme që vetëm një ditë pas manifestimeve për Ditën e Alfabetit, Sali fillimisht të mbajë fjalimin në gjuhën maqedonase dhe më pas ta përsërisë atë në gjuhën shqipe.
Sipas saj, kjo mënyrë e veprimit përbën nënvlerësim të gjuhës shqipe dhe krijon një kontrast mes festimit të saj në manifestime publike dhe përdorimit të saj në institucionet shtetërore.
“Pas gjithë atij manifestimi madhështor, sot në mbledhjen dedikuar shqyrtimit të raportit të Komisionit Evropian, në mbledhjen e Këshillit Nacional për Eurointegrime, zëvendëskryeministri Bekim Sali u drejtua në gjuhën maqedonase dhe më pas mori kohën që të njëjtin fjalim ta bëjë edhe në gjuhën shqipe. Për mendimin tim, kjo është nënvlerësim i skajshëm i gjuhës shqipe, i gjuhës sonë të bukur, të cilën dje me të drejtë kolegët e kanë festuar dhe manifestuar. Këtu ka një disbalancë: a po festojmë sepse e ndiejmë, e duam dhe e kemi gjuhën tonë, ndërsa të nesërmen ndodh e kundërta?”, deklaroi Pasholli.
Pasholli: Një deputete e VMRO-DPMNE-së tha se ka përfunduar koha e Marrëveshjes së Ohrit
Gjatë së njëjtës intervistë, deputetja e BDI-së bëri edhe një deklaratë lidhur me qëndrimet e përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së ndaj Marrëveshjes së Ohrit.
Pasholli tha se gjatë një takimi në Kuvend me Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare, një deputete e VMRO-DPMNE-së kishte deklaruar se koha e Marrëveshjes së Ohrit ka përfunduar, pasi qëllimi i saj është arritur dhe se tashmë duhet të mbizotërojë meritokracia.
Ajo theksoi se këtë qëndrim nuk e kishte shprehur ndonjë përfaqësues i VLEN-it, por një deputete e partisë më të madhe në pushtet.
“T’ju jap një informacion tjetër. Në takimin me Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare që patëm në Kuvend, një prej temave ishte edhe kjo çështje. Nëse dëshironi, mund ta hapim edhe në Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Edhe njëra prej deputeteve të VMRO-DPMNE-së tha: ‘Ka përfunduar koha e Marrëveshjes së Ohrit, është arritur qëllimi dhe ka ardhur koha e meritokracisë’. Nuk ishte asnjë prej përfaqësuesve të VLEN-it që e dha këtë deklaratë, por e dha deputetja e VMRO-DPMNE-së”, deklaroi Pasholli.
Deklaratat e saj rikthejnë në vëmendje debatet politike për përdorimin institucional të gjuhës shqipe dhe të ardhmen e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit në funksionimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut. Flaka















