LSDM kërkon hetim edhe për “Alta Osiguruvanje”: “ZOIL Maqedonia” u ble për 1.7 milionë euro
Partia opozitare maqedonase LSDM kërkon hapjen e një hetimi për hyrjen e “Alta Bankës” në Maqedoninë e Veriut, por edhe zgjerimin e hetimeve ndaj “Alta Osiguruvanje”, duke ngritur dyshime për rrethana të paqarta në blerjen e kompanisë së sigurimeve “ZOIL Maqedonia” për rreth 1.7 milionë euro.
Dyshime për procedurë të përshpejtuar dhe konflikt të mundshëm interesi
Sipas LSDM-së, pasi kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori Trajko Sllaveski i hapën rrugën “Alta Bankës” për të hyrë në sektorin bankar të vendit, Davor Macura u lejua të zgjerojë aktivitetin edhe në sektorin e sigurimeve përmes blerjes së “ZOIL Maqedonia”.
Nga kjo parti pyesin se me çfarë parash është blerë kompania e sigurimeve, nga cila llogari janë transferuar mjetet dhe kush e ka verifikuar prejardhjen e tyre.
Duke iu referuar informacioneve të marra nga sinjalizues, LSDM pretendon se kërkesa për marrjen e kompanisë së sigurimeve është shqyrtuar brenda vetëm dy ditë e gjysmë.
Për këtë arsye, partia i kërkon publikisht Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve (AMS) të sqarojë se çfarë kontrolle janë kryer brenda këtij afati, kush i ka realizuar ato, mbi bazën e cilave dokumente është dhënë pëlqimi dhe nëse ndaj “Alta Osiguruvanje” janë zbatuar të njëjtat kritere si ndaj kompanive të tjera.
Gjithashtu, LSDM ngre dyshime nëse në transaksion ka ndërmjetësuar një kompani brokerimi në pronësi të vëllait të Drakulovskës, kryetares së Këshillit të Ekspertëve të AMS-së.
Kërkohet publikimi i dokumentacionit dhe hetim nga Prokuroria
LSDM kërkon që Banka Popullore, Komisioni për Letra me Vlerë dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimeve të publikojnë të gjithë dokumentacionin për dy transaksionet, përfshirë kronologjinë e vendimmarrjes, datat, mendimet, pëlqimet dhe emrat e personave që kanë marrë pjesë në procesin e marrjes së vendimeve.
Partia opozitare akuzon udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së se përmes paralajmërimeve për shitjen e bankës po përpiqet të pengojë verifikimin e llogarive dhe transaksioneve. Për këtë arsye, i bën thirrje kryeprokurorit Saveski të mos presë, por të veprojë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me ligjin.
“Hetimi duhet të zgjerohet edhe në sektorin e sigurimeve. Me çfarë parash është blerë kompania e sigurimeve, nga cila llogari janë paguar ato dhe kush e ka kontrolluar prejardhjen e tyre? LSDM kërkon që Banka Popullore, Komisioni për Letra me Vlerë dhe AMS të publikojnë të gjithë dokumentacionin për dy transaksionet, me kronologjinë e vendimmarrjes, datat, mendimet, pëlqimet dhe emrat e personave që kanë marrë pjesë në marrjen e vendimeve”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.















