Universiteti i Tetovës në Festivalin XXIV Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar në Botë”
Profesorët e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibish Kadriu dhe Prof. Dr. Qani Nesimi, morën pjesë në Festivalin XXIV Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar në Botë”, i cili u organizua më 22 nëntor 2026 në Zvicër, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Ky manifestim kulturor dhe shkencor, i cili i kushtohet promovimit të vlerave, historisë dhe kontributit të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, përfshiu në programin e tij promovimin e një vepre shkencore, shfaqjen e një dokumentari mbi imazhin e shqiptarëve në botë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ndarjen e çmimeve për dhjetë personalitete të shquara, të cilët u nderuan me titullin “Ambasadorë të Imazhit Shqiptar në Botë për vitin 2026”.
Në kuadër të këtij manifestimi, Prof. Dr. Ibish Kadriu, në emër të udhëheqësisë së Universitetit të Tetovës, përcolli përshëndetjet dhe urimet e rektorit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Në fjalën e tij, ai foli për rëndësinë historike të festave të nëntorit, duke vënë theks të veçantë te Kongresi i Manastirit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Muaji nëntor zë një vend të rëndësishëm për shqiptarët në çdo vit kalendarik, sepse brenda këtij muaji kanë ndodhur disa nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë, dy prej të cilave i përkasin periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare: Kongresi i Alfabetit në Manastir, më 22 nëntor 1908, dhe Kuvendi i Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912”, theksoi Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Me këtë rast, ai paraqiti edhe një vështrim mbi veprën e Prof. Dr. Astrit Memisë, duke u ndalur te rëndësia e historisë, gjuhës, arsimit dhe kulturës në ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar.
“Historia e një kombi është shumë më tepër sesa një përmbledhje ngjarjesh të renditura në mënyrë kronologjike. Ajo përfaqëson kujtesën kolektive të një populli, trashëgiminë shpirtërore që përcillet ndër breza dhe bazën mbi të cilën ndërtohen identiteti, vetëdija dhe vizioni për të ardhmen”, u shpreh Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Gjatë këtij manifestimi, Prof. Dr. Ibish Kadriu u nderua nga organizatorët me certifikatë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë në organizimin e Festivalit XXIV Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar”. Ky vlerësim i është ndarë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në mbështetjen e veprimtarive që promovojnë kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporë. Gazeta Flaka















