ASH kritikon Mexhitin: Një vit mandat, premtimet për Çairin ende në letër
ASH kritikon Mexhitin: Një vit mandat, premtimet për Çairin ende në letër
Këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Komunën e Çairit kanë kritikuar kryetarin Izet Mexhiti, duke e akuzuar për mosrealizimin e një pjese të konsiderueshme të premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e ASH-së kërkuan që Mexhiti të japë llogari publike për projektet e paralajmëruara dhe për vonesat në realizimin e tyre.
“Gjatë fushatës na premtoi një Çair të transformuar. Infrastrukturë moderne, rrugë të rikonstruktuara, më shumë parkingje, pastërti, shkolla më të mira dhe hapësira për të rinjtë. Por sot, ku janë këto premtime?”, deklaruan këshilltarët e ASH-së.
Ata përmendën një sërë projektesh që, sipas tyre, ende nuk janë realizuar, përfshirë vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë, rikonstruksionin e rrugëve brenda lagjeve, ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”, zgjerimin e bulevardeve “Mit’hat Frashëri” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe parkingun nëntokësor me rreth 800 vende në sheshin “Skënderbeu”.
Kritika u drejtuan edhe ndaj premtimeve në fushën e arsimit dhe rinisë.
“Në arsim u premtua një ndërrim, mësim tërëditor dhe ushqim i ngrohtë për nxënësit. U premtua edhe një Qendër Rinore moderne. Por edhe këto premtime vazhdojnë të mbeten në letër”, u shprehën përfaqësuesit e ASH-së.
Sipas tyre, shqetësues janë edhe afatet e reja të paralajmëruara për projektet që ende nuk kanë nisur. Si shembull, ata përmendën bulevardin “Cvetan Dimov”, për të cilin, sipas deklaratës së tyre, është folur për fillimin e punimeve në shkurt ose mars të vitit 2027.
“Pra, edhe pas një viti qeverisjeje, qytetarëve u ofrohen vetëm data të reja dhe premtime të përsëritura”, theksuan këshilltarët opozitarë.
Ata kërkuan përgjigje konkrete nga kryetari i Komunës së Çairit për projektet e realizuara, ato që kanë ngecur, përgjegjësinë për vonesat dhe afatet e përfundimit.
“Qeverisja nuk është fushatë e përhershme, ndërsa konferencat për media, fotografitë dhe marketingu politik nuk mund t’i zëvendësojnë punët e munguara”, deklaruan nga ASH.
Në përfundim, këshilltarët e ASH-së paralajmëruan se do të vazhdojnë të kërkojnë llogari nga pushteti lokal, duke theksuar se qytetarët e Çairit meritojnë rezultate konkrete dhe jo arsyetime.















