Komuna e Çairit reagon për SMS-të mbi flamujt në shkolla: Festat do t’i kremtojmë pa frikë
Komuna e Çairit ka reaguar lidhur me SMS-të e pakonfirmuara që pretendohet se ndalojnë sjelljen e flamujve kombëtarë në shkolla, duke dënuar përpjekjet për krijimin e frikës dhe pasigurisë te prindërit dhe nxënësit.
Në reagimin e saj, Komuna i cilëson këto mesazhe si manipulime dhe pretendon se pas tyre qëndrojnë “qarqe të dyshimta”, të cilat, sipas saj, nuk ia duan të mirën shqiptarëve.
“Dënojmë çdo përpjekje për të krijuar frikë dhe pasiguri te prindërit dhe nxënësit përmes SMS-ve të pakonfirmuara, që pretendohet se ndalojnë sjelljen e flamujve kombëtarë në shkolla”, thuhet në reagimin e Komunës së Çairit.
Më tej, Komuna thekson se këto veprime nuk do të arrijnë të prishin atmosferën festive dhe të krijojnë përçarje mes qytetarëve.
“U bëjmë të qartë se nuk do të arrijnë ta prishin atmosferën festive dhe të mbjellin përçarje mes qytetarëve”, thuhet në reagim.
Komuna e Çairit ka përcjellë edhe një mesazh të qartë lidhur me përdorimin dhe respektimin e flamurit kombëtar.
“Në Çair askush nuk mund ta cenojë flamurin kombëtar! Askush nuk duhet të guxojë t’i frikësojë fëmijët tanë për identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare”, theksohet në reagim.
Në fund, Komuna nënvizon se festat kombëtare do të kremtohen me krenari dhe pa frikë.
“Flamuri është krenari, identitet dhe dinjitet. Festat tona do t’i kremtojmë me krenari, pa frikë dhe pa manipulime!”, përfundon reagimi i Komunës së Çairit.















