Gjykata Administrative në mbledhjen maratonike rrëzoi disa padi të Frontit Evropian

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 17 Maj, 2024 19:16

Gjykata Administrative në mbledhjen maratonike rrëzoi disa padi të Frontit Evropian

Gjykata Administrative rrëzoi disa padi të Frontit Europian, e cila kundërshton vendimet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për rivotim në gjashtë vendovtime në Njësinë Zgjedhore 5, respketivisht dy në Krushevë, dy në Dollnen, një në Ohër dhe një në Strugë, dhe një vendvotim në Njësinë Zgjedhore 6, konkretisht në Zhelinë.

Me vendimin e Administratives për rivotim në Krushevë, konfirmohet vendimi i KSHZ-së, me të cilin është konstatuar shkelje e procesit zgjedhor, pasi në kutinë e votimit është gjetur një fletëvotim më shumë se sa numri i nënshkrimeve në listën zgjedhore.

“Në kutinë e votimit të vendvotimit me numër 1194, ka gjithsej 359 fletëvotime, ndërkaq në listën zgjedhore ka 358 nënshkrime. Me këtë, këshilli zgjedhor ka shkelur procedurat zgjedhore”, tha Katerina Vasilevska, KSHZ.

Nga ana tjetër, avokatët e Frontit Europian, gjatë seancës deklaruan se bëhet fjalë për gabim teknik.

“Bëhet fjalë për gabim teknik gjatë mbushjes së procesverbalit. Fletëvotimi që ndodhet më shumë në kutinë e votimit, me vendim të Këshillit ka votuar dhe ajo është shënuar në raport”, tha Mefail Arsllani, avokat i Frontit Europian.

Derisa, brenda Gjykatës Administrative, mbahen në çdo dy orë seanca gjyqësore për paditë e Frontit Europian, Komisioni Shtetëror Zgjedhor doli me reagim, duke u ankuar se po përjetojnë presione dhe kërcënime për shkak të vendimeve të tyre për rivotim.

“Ju informojmë se përveç asaj që personalisht jemi poshtëruar dhe ofenduar, gjithashtu si anëtarë në institucionin më të lartë organizim dhe zbatim të zgjedhjeve jemi të ekspozuar edhe ndaj trysnive të pashembullta dhe të pabaza politike dhe të kërcënimeve për shkak të vendimeve të miratuara”, thuhet në reagimin e KSHZ-së.

Për procedurat gjyqësore në Gjykatën Administrative, sot kanë reaguar edhe nga koalicioni VLEN, të cilët akuzojnë Talat Xhaferin dhe Bujarin Osmanin se janë duke ndërhyrë në sistemin gjyqësor duke ushtruar presion ndaj gjykatësve administrativë që t’i pranojnë paditë e tyre.

“Konstatimet e KSHZ janë shumë të qarta dhe vërtetojnë që BDI ka kryer parregullsi dhe shkelje të mëdha zgjedhore, me presione, shantazhe, kërcënime, tregtime ka manipuluar vullnetin e qytetarëve. Tani me presione ndaj gjykatave po tentojnë të bëjnë përsëri të njëjtën. Bëjmë thirrje te Gjykata Administrative, që të mos ndikohen nga presionet politike, por të japin vendimin bazuar në burime e fakte ligjore. Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në pavarësinë e institucioneve, përfshirë gjykatat”, thuhet në reagimin e VLEN.

Ndryshe, deri në mesnatë, Gjykata Administrative duhet të vendos për të 7 paditë e Frontit Europian, nëpërmjet të cilave kërkohet që të rrëzohen poshtë vendimet e KSHZ-së për rivotim.
Para gjysmë ore ka filluar seanca për vendvotimin 1844 në Strugë, ndërkaq në ora 20:30 dhe 22:30 pritet të mbahen seancat për vendvotimet 1272 në Ohër dhe 2101 në Dollnen.

Rivotimi, në këto 7 vendvotime, sipas përllogaritjeve mund të sjellë ndryshim të rezultatit në Njësitë Zgjedhore 5 dhe 6. Konkretisht, Fronti Europian rrezikon të humb nga një mandat në të dyja këto njësi zgjedhore, të cilat do të shkonin në konton e LSDM-së dhe VLEN-it./Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 17 Maj, 2024 19:16