Miteva paralajmëron linjë telefonike falas për viktimat e dhunës në familje
Marija Miteva, kryetare e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së dhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të partisë, ka njoftuar për krijimin e një linje telefonike për ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje.
Njoftimi u bë gjatë një panel-diskutimi në kuadër të fushatës „16 Ditë Aktivizëm“, me moton „Të bashkuara veprojmë, të vendosura kundër dhunës“.
Miteva theksoi se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje përbëjnë një hap drejt forcimit të sistemit institucional, duke vendosur viktimën në qendër të mbrojtjes dhe duke synuar që ajo të mos përballet e vetme me pasojat e dhunës.
Ajo deklaroi se Unioni i Grave do të angazhohet për parandalimin e dhunës, ngritjen e vetëdijes publike dhe inkurajimin e viktimave që të denoncojnë dhunuesit. Sipas saj, institucionet do të mbahen nën presion për të reaguar më shpejt dhe me përgjegjësi në çdo rast.
„Si Union i Grave, qëndrojmë fuqishëm kundër dhunës dhe do të përdorim të gjithë mekanizmat në dispozicion. Do të flasim, do të veprojmë në drejtim të parandalimit, do të ngremë vetëdijen dhe do t’i inkurajojmë viktimat t’i denoncojnë dhunuesit. Do t’u qëndrojmë institucioneve mbi kokë që të reagojnë më shpejt dhe me dinjitet“, deklaroi Miteva.
Ajo theksoi se aktivitetet e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së do të përqendrohen në trajtimin e problemeve konkrete dhe jo në retorikë politike.
Në këtë drejtim, Miteva paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të publikohet një numër telefoni përmes të cilit viktimat e dhunës në familje do të mund të përfitojnë këshillim dhe ndihmë juridike falas.
Në bashkëpunim me Komisionin Juridik të partisë, viktimave do t’u ofrohen informacione për të drejtat e tyre ligjore, udhëzime për procedurat institucionale dhe konsultime juridike, veçanërisht në situata kur ato nuk dinë ku të drejtohen ose kanë frikë për sigurinë e tyre dhe të fëmijëve.
„Do të ofrojmë udhëzime se si duhet të veprojnë në momentet kur ndihen të pashpresa, kur kanë frikë nga ajo që mund të pasojë, kur nuk i njohin procedurat ose nuk dinë se ku të drejtohen, si dhe kur kanë frikë për jetën e tyre apo të fëmijëve të tyre. Këtë do ta bëjmë në mënyrë dinjitoze dhe konfidenciale, përmes mekanizmave përkatës juridikë“, deklaroi Miteva.
Ajo falënderoi kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për mbështetjen ndaj kësaj nisme. Flaka















