Lypsarë në secilën rrugë
Krahas të moshuarve, nuk mungojnë edhe fëmijët e mitur, të cilët bashkë me më të rriturit, qëndrojnë në trotuare duke pritur se kush do të ofrojë ndonjë denarë. Në këtë drejtim, duke patur parasysh se kjo veprimtari është e kundërligjshme, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ditëve të kaluara ka zhvilluar një aktivitet për të larguar këta lypsarë nga rrugët
Në këtë periudhë të vitit zakonisht fillojnë të shfaqen gjithnjë e më shumë lypsarë në trotuaret e qytetit të Tetovës dhe të Gostivarit. Kjo përkon me kohën kur fillojnë të kthehen në vendlindje mërgimtarët dhe këta lypsarë e shfrytëzojnë mundësinë që të përfitojnë më shumë lëmoshë. Në rrugët e Tetovës dhe jo vetëm, tashmë gjithnjë hasen persona të cilët shtrinë dorën e lëmoshës dhe të njëjtit mund t`i takosh afër institucioneve shtetërore. Kësisoj, ata mund të hasen para filialeve të bankave, postës, gjyqit, tregut të gjelbërt, Xhamisë së Pashës dhe qendrës tregtare në qendër të Tetovës. Ata zgjedhin këta lokacione për të ushtruar veprimtarinë e lypsarisë, pikërisht për shkak të frekuentimit më të madh të qytetarëve.
Krahas të moshuarve, nuk mungojnë edhe fëmijët e mitur, të cilët bashkë me më të rriturit, qëndrojnë në trotuare duke pritur se kush do të ofrojë ndonjë denarë. Në këtë drejtim, duke patur parasysh se kjo veprimtari është e kundërligjshme, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ditëve të kaluara ka zhvilluar një aktivitet për të larguar këta lypsarë nga rrugët.
“Efektivët e policisë në bashkëpunim me punonjësit social nga Qendra për Punë Sociale kanë marrë masa lidhur fenomenin e lypjes së lëmoshës. Në rrugën ‘Nikolla Teslla’ në Tetovë është gjetur duke lypur lëmoshë një grua me iniciale E.O. 41 nga Tetova bashkë me dy fëmijët e saj të mitur, pastaj më vonë në të njëjtën rrugë është gjetur edhe një grua me iniciale L.R. e moshës 26 vjeçare nga Shkupi me qëndrim në Tetovë e cila lypte lëmoshë bashkë me tre fëmijët e saj të mitur. Po merren masa të përshtatshme për të pastruar dhe dokumentuar rastet dhe kundër tyre do të përgatitet parashtresat e e parapara ligjore”, njoftuan nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
Nga Qendrat Sociale në Tetovë dhe Gostivar shpeshherë janë prononcuar se problem në vete është se këta persona që kërkojnë lëmoshë janë të qyteteve tjera dhe nuk janë banorë vendas.
Në të shumtën e rasteve këta lypsarë janë fëmijë të cilët keqpërdoren nga ndonjë rrjet i organizuar të cilët në fund ua marrin të hollat e grumbulluara. Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë sqarojnë se ky fenomen është në kundërshtim me ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, kurse gjobat janë nga 15 deri në 50 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa prindërit të cilët do të përfshijnë fëmijët e tyre në kërkim të lëmoshës dhe do t`I lënë pasdore do të përballen me përgjegjësi penale dhe burg deri në katër vite.
“Policia sikurse viteve të kaluara në koordinim me institucionet tjera edhe këtë vit do të ndërmarrë aktivitete parandaluese për këtë lloj shkelje dhe punohet në gjetjen e një zgjedhje afatgjate për këtë fenomen në shoqërinë tonë, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Këta fëmijë, krahas pjesëve qendrore të dy qyteteve poashtu hasen edhe në vendbanime rurale, afër xhamive, bankave dhe qendrave tregtare. (koha.mk)
















