Musk kërcënon se do të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 20:46

Musk kërcënon se do të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij

Pas prezantimit të produkteve të reja të Apple mbrëmë, Elon Musk reagoi në profilin e tij në platformën X. Në hapjen e konferencës së mbrëmshme të dedikuar për zhvilluesit, Apple prezantoi një sërë risish, kryesisht në lidhje me softuerin dhe shërbimet, të cilat janë më të mëdhatë në vitet e fundit. Ndërsa versionet e reja të sistemeve operative për telefona, tableta, ora dhe AppleTV sollën risitë më të pritura, më shumë u fol për inteligjencën artificiale, ose siç e quajtën nga kjo kompani – Apple Intelligence.

Edhe pse Apple nuk prezantoi ndonjë risi revolucionare në fushën e inteligjencës artificiale, mënyra se si kjo teknologji është integruar në iPhone, iPad dhe Mac ka të ngjarë të kënaqë përdoruesit e këtyre pajisjeve, duke përfshirë integrimin e ChatGPT.

Por, ndonëse shumë pronarë të pajisjeve të Apple mezi presin të testojnë këtë teknologji, nuk janë të gjithë të kënaqur dhe të lumtur. Një nga të pakënaqurit është – Elon Musk. Lajmi i Apple e shqetësoi aq shumë saqë, besoni apo jo, ai kërcënoi se do të ndalojë përdorimin e pajisjeve të Apple në kompanitë e tij. Arsyeja është bashkëpunimi me OpenAI, kompani në të cilën ai ishte bashkëthemelues, por që më pas e paditi.

Në një postim në platformën e tij X, ai shkroi se Apple nuk ka asnjë ide se në çfarë po futet dhe se bashkëpunimi midis këtyre dy kompanive është një shkelje e papranueshme e sigurisë. Ai beson se është absurde që ekipi në Apple nuk është mjaftueshëm i zgjuar për të zhvilluar inteligjencën e vet artificiale, por ata e konsiderojnë veten të aftë të sigurojnë që OpenAI të mbrojë sigurinë dhe privatësinë e përdoruesve. Përdoruesit e pajisjeve të Apple do të mund të kenë qasje në ChatGPT përmes Siri, me përdoruesit që duhet të japin leje për të ndarë pyetjet e tyre me mjetin e inteligjencës artificiale. Në këtë mënyrë, ChatGPT mund të përdoret direkt përmes Siri, pa nevojën për të hapur një aplikacion të veçantë. Musk e quan këtë një gabim të madh dhe thotë se Apple duhej ta mbante ChatGPT në një aplikacion të veçantë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 20:46