Mali i Baba Tomorrit, bektashinjtë kremtojnë fetsën e Abaz Aliut
Në malin e Baba Tomorrit në Shqipëri besimtarët bektashinjë prej dje kanë nisur pelegrinazhin pesditorë. Organizimi i pelegrinazhit bëhet nga Kryegjyshata Botërore.
Bektashinjtë kremtojnë fetsën e Abaz Aliut në malin e Tomorrit, dhe prej datës 18 mbi 300 besimtarë ndodhen atje. Organizimi i pelegrinazhit bëhet nga Kryegjyshata Botërore dhe në një dalje publike kryegjyshi i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha se janë masat në shërbim të qytetarëve.
“Kryegjyshata ka marrë masat e duhura këto ditë. Ne gjithë këto kohë të zhvillimit të pelegrinazhit kemi siguruar rrugë automobilistike, kemi siguruar ujë dhe gjera sanitare për ti ardhur në ndihmë popullit. Janë marrë masa për të pritur ata në restorante dhe bare, për të bërë çdo gjë që ata të ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre.”, tha kryegjyshi i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi u bën thirrje besimtarëve të tregojnë kujdes të shtuar për masat në përhapjen e zjarrit, teksa ndizen qirinjtë dhe vatrat për të pjekur mishin tradicional.
“Kryegjyshata botërore ka marrë masa për t’i mbajtur gjallë këto ditë të gëzuara të Abaz Aliut. Lutemi të gjithë besimtarëve që të kenë kujdes me zjarret kur të ndezin qiri. Janë marrë masa edhe për pjekjen e mishit. Pra Kryegjyshata është në ndihmë të njerëzve. Kemi marrë masa që çdo gjë të shkojë me paqe dhe dashuri.”, tha Brahimaj.
Në 5 ditë pelegrinazh në Malin e Tomorit ka edhe organizime me këngëtarë dhe shfaqje të ndryshme. Për të garantuar sigurinë publike, Policia e Beratit, e Kuçovës dhe Skraparit, kanë marrë disa masa për kufizimin e mjeteve të tonazhit të rëndë.
















