Dhjetëra shtëpi janë përmbytur për shkak të reshjeve intensive në Reçicë të Vogël

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 21:52

Dhjetëra shtëpi janë përmbytur për shkak të reshjeve intensive në Reçicë të Vogël

Reshjet e forta dhe intensive të shiut që kanë përfshirë Komunën e Tetovës orët e vona të pasdites dhe sonte kanë shkaktuar përmbytje të pjesshme të rrugëve, oborreve dhe shtëpive në qytet si dhe në Reçicë të Vogël, përcjell FLAKA.

Përmbytjet janë në disa vende ku vazhdimisht lindin probleme gjatë reshjeve më intensive, si në bulevardin “Bllagoja Toska” përballë kazermës dhe në Reçicë të Vogël.

“Deri në orën 20:15 kemi intervenuar duke pompuar ujë nga 13 shtëpi në Reçicë të Vogël ku janë përmbytur oborret, bodrumet dhe katet përdhese të objekteve. Në baraka ka pasur mbajtje të ujit nëpër rrugë, por për shkak të të ashtuquajturit by-pass ka mundur që uji të mos hyjë në oborre”, ka informuar Avni Ameti, komandant i zjarrfikësve të Tetovës.

Edhe Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave nga Tetova informoi se për shkak të vërshimeve të rrugëve, komunikacioni afër kazermave në qytet është i vështirësuar. Përveç zjarrfikësve, sipas QMK Tetovë, me makineri përkatëse intervenojnë edhe NPK-Tetovë dhe Komuna e Tetovës. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 21:52