Aksion policor në RMV: Tetë të arrestuar për mashtrim me operacionet e syve, dëmi mbi 5.9 milionë euro
Tetë persona janë privuar nga liria në kuadër të një aksioni policor kundër një grupi të dyshuar kriminal, i cili dyshohet për keqpërdorime financiare lidhur me operacionet e syve dhe pagesat nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut (FSSH).
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se ka ngritur kallëzim penal kundër 11 personave fizikë dhe një institucioni privat shëndetësor, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, “punë e pandërgjegjshme në shërbim”, “falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë”, “mashtrim në shërbim” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”.
Aksioni u realizua më 29 tetor nga zyrtarët policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjatë kontrolleve në disa lokacione në Shkup, si dhe në nga një lokacion në Tetovë dhe Kumanovë, u sekuestruan rreth 50 mijë euro dhe telefona celularë.
Dyshimet për pagesa të dyfishta
Sipas MPB-së, dy drejtorë të atëhershëm të FSSH-së, në vitin 2020, së bashku me një përfaqësues të institucionit privat shëndetësor, dyshohet se kanë lidhur një marrëveshje në kundërshtim me procedurat dhe aktet e brendshme të Fondit. Dyshime për parregullsi ekzistojnë edhe lidhur me miratimin e marrëveshjes nga kryetari i Bordit Drejtues.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, institucioni shëndetësor dyshohet se ka faturuar të njëjtat shërbime si ndaj Fondit, ashtu edhe ndaj pacientëve, duke futur të dhëna të pavërteta në sistemin elektronik dhe duke përgatitur fatura me përmbajtje të pavërtetë.
Sipas kallëzimit, pacientëve, përveç pjesëmarrjes ligjore në shpenzime, u është kërkuar të paguajnë edhe çmimin privat për operacionet, pa u informuar se shërbimet paguheshin edhe nga Fondi.
Dyshime për pengim të kontrolleve
Një drejtor i sektorit për kontroll dyshohet se nuk i ka përcjellë raportet për parregullsitë e konstatuara te komisioni kompetent dhe ka shtyrë kontrollet e rregullta. Sipas MPB-së, kjo ka mundësuar shmangien e gjobave shtesë kontraktuale dhe të mundësisë për ndërprerjen e marrëveshjes.
Dy udhëheqëse të shërbimit rajonal të Fondit në Shkup dyshohet se nuk kanë ndjekur arkëtimin e gjobave të shqiptuara dhe nuk i kanë njoftuar shërbimet përkatëse, duke mundësuar vazhdimin e pagesave ndaj institucionit shëndetësor pa zbritjen e borxheve.
Hetimi përfshin edhe dyshimet se paratë e paguara nga Fondi, për të cilat personat përgjegjës në institucionin shëndetësor dyshohet se e dinin se buronin nga vepra penale, janë futur në qarkullimin financiar, regjistruar në kategori të ndryshme kontabël dhe përdorur për paga, furnizime dhe pagesa të tjera.
Dëmi i dyshuar: mbi 5.9 milionë euro
Sipas të dhënave të publikuara nga MPB-ja, dëmi i shkaktuar buxhetit të FSSH-së nga pagesat për fatura fiktive arrin në 104.818.754 denarë, rreth 1.7 milionë euro. Dëmi plotësohet me 525.000 denarë të tjerë nga gjobat kontraktuale të paarkëtuara.
Ndërkohë, për periudhën 2022–2025, institucioni shëndetësor dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 261.271.961 denarë, rreth 4.25 milionë euro.
Sipas kallëzimit penal, nga skema e dyshuar e pagesave të dyfishta janë dëmtuar nga 3.000 deri në 4.000 pacientë.
MPB-ja bëri të ditur se kallëzimi penal përfshin 11 persona fizikë, mes tyre edhe një shtetas të Shqipërisë, si dhe një institucion privat shëndetësor nga Shkupi.
Procedura penale është në fazën e hetimit. Pretendimet e paraqitura në kallëzim duhet të vërtetohen në procedurë gjyqësore, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përfshirë nuk është përcaktuar përfundimisht. Flaka













