Xhaka me padurim pret derbin me Bayernin
Mesfushori i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, mezi e pret përballjen me Bayern Muenchenin. Xhaka 31-vjeçar, është shprehur optimist para ndeshjes kundër gjigantit gjerman.
Lideri i mesfushës së kampionit në fuqi të Gjermanisë pranon forcën e Bayernit. Por iniston se Leverkuseni ka analizuar mirë Bayernin dhe se do të jetë gati.
Ndeshja derbi në mes të Bayernit dhe Leverkusenit luhet të shtunën nga ora 18:30 dhe i takon javës së pestë të Bundesligës.
“Një lojë në Munih kundër Bayernit është gjithmonë diçka e veçantë dhe ne po e presim me padurim”, ka thënë Xhaka në një intervistë për “Sky Sports”.
Leverkuseni e fitoi 3:0 ndeshjen e fundit kundër Bayernit në Bundesligë. Ndeshja tjetër e edicionit 2023/2024 përfundoi baras, 2:2.
Fitoren e fundit ndaj Leverkusenit, Bayerni e ka arritur më 30 shtator të vitit 2022. E pati mposhtur thellë, 4:0.
Por Xhaka iniston se Leverkuseni ka bërë progres në vitet e fundit, sidomos në edicionin e kaluar. Xhaka me Leverkusenin fituan titullin e kampionit edicionin e kaluar. Madje titullin Leverkuseni e fitoi në mënyrë impresive.
“Sigurisht që ne e dimë se sa potencial ka Bayerni dhe çfarë idesh të reja do të sjellë trajneri i ri Vincent Kompany në lojën e skuadrës. Ne sigurisht kemi analizuar ndeshjet e Bayernit dhe kemi parë se shumë gjëra funksionojnë shumë mirë për të”, ka theksuar Xhaka.
Bayerni është lider i Bundesligës me 12 pikë. Leverkuseni zë vendin e dytë me tri pikë më pak.
Xhaka beson se Leverkuseni mund të jetë kandidat serioz edhe në edicionin aktual.
















