Misajllovski: Nuk ka rrezik për destabilizimin e vendit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Tetor, 2024 19:35

Misajllovski: Nuk ka rrezik për destabilizimin e vendit

RMV-ja është vend stabil dhe deri në këto momente nuk ka rrezik nga ndonjë destabilizim të rajonit, thotë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, gjatë shpalosjes së të arriturave të kësaj ministrie gjatë 100 ditëve të Qeverisë. Sipas tij, më e rëndësishme është që situata e sigurisë në vend të jetë stabile dhe shërbimet tona t’i kenë të gjitha informacionet e nevojshme, të cilat mund të na tregojnë se a mos vallë po përballemi me ndonjë kërcënim.

Misajllovski u pyet se a ka informacione për deklaratat e disa ekspertëve ushtarakë se është e mundur të ketë një lloj destabilizimi në rajon, jo si konflikt i drejtpërdrejtë, por ndoshta si formim i shoqatave terroriste.

“Në tërësi është duke u ndjekur çdo lëvizje, e cila mund të çojë deri te ndonjë destabilizim. Të gjitha strukturat edhe në vendet fqinje janë duke u monitoruar dhe çfarëdo lëvizje që mund të vërehet mblidhen informacionet dhe të njëjtat ndahen me vendet e NATO-s. Nuk ka rrezik për momentin, por me ato struktura çdoherë duhet të jemi të vëmendshëm.”, – deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

Misajllovski tha se situata në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë është shumë shqetësuese dhe do të ketë një reflektim jo vetëm këtu, por në të gjithë Evropën, andaj është e nevojshme të fillohet dialogu dhe të arrihet paqja në rrugë diplomatike.

Ai foli edhe për tre pjesëtarët e armatës tonë, të cilët kanë mbetur të ngujuar në Libanin Jugor.

“Situata është shumë shqetësuese. Unë përmes një video-linje kam biseduar me tre oficerët tanë të stafit në Libanin e Jugut. Ata ndihen mirë, por situata është shqetësuese dhe çdo ditë po tensionohet. Ndonëse ndihen të sigurt janë vazhdimisht nëpër bunkerë dhe ditët e fundit kanë rënë mbi 300 granatime që kanë dëmtuar infrastrukturën pranë qendrave komanduese ku ndodhen. Aty pranë ka edhe aksione luftarake.”, – theksoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

Ministri Misajllovski po ashtu u ndal edhe tek ndërtimi i korridorit 8 dhe 10, të cilat janë të rëndësishme dhe prioritet për vendin, por sipas tij këto projekte nuk janë të hartuara më mënyrë të duhur. (TVM2)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Tetor, 2024 19:35