Ka ndërruar jetë Tahir Hani
Në moshën 63 vjeçare, nga një sëmujdje të papritur ka ndërruar jetë Tahir Hani, veprimtar dhe politikan ndër vite, shkruan Flaka Media
Krahas aktivitetit politik, Tahir Hani ishte një ish i burgosur politik, i cili vuajti mbi 9 vite burg për kauzën shqiptare dhe ishte shok burgu me figurën e shquar Adem Demaçi. Ai ishte pjesë aktive e ilegalas shqiptare në Jugosllavi.
Tahir Hani u lind më 15 dhjetor 1961 në fshatin Veleshtë të Strugës. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës .
Nga viti 2001 deri në vitin 2005 ka qenë kryetar i Komunës së Veleshtës. Në periudhën 2006-2011 ka qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Nga viti 2011 deri në vitin 2013 ka qenë zëvendësministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.
Në vitin 2013 u bë Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Kanë vijuar ngushëllimet nga bashkëpunëtorët e tij. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në rrjetin social ka njoftuar për vdekjen e bashkëpartiakut të tij Tahir Hani.
“Tahir, herët na le more burrë.
U mërzita fort për Tahir Hanin, veprimtarin e ditëve të para të rezistencës kombëtare dhe patriotin e pa shoq.
Tahiri tërë jetën ia kushtoi kombit shqiptar dhe punoi çdo ditë pa e kursyer vetën për ta parë kombin tonë në rrugë të drejtë.
Familja dhe shokët të janë krenarë për Tahirin, për jetën dhe veprën e tij, për emrin dhe shembullin që po lë pas vetes.
Ngushëllime familjes, miqve, të gjithë neve për këtë humbje të parakoheshme të një patrioti të dergjur burgjeve jugosllave.
Cimo, do të të kujtoj përherë, pastë dritë shpirti yt!” – ka shkruar Ali Ahmeti.