Fetai nga VLEN i përgjigjet Janevskës: UÇK-ja mbetet vlera më sublime e popullit shqiptar
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar pas informacionit se në një nga shkollat e Çellopekut, Dita e Flamurit – 28 Nëntori është shënuar me shfaqje, ku nxënësit janë paraqitur me armë dhe me uniformë të UÇK-së.
“Shfaqjet me fëmijë të uniformuar dhe të armatosur janë të gabuara, pavarësisht përkatësisë apo historiografisë. Komitët, padyshim, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të vetëdijes kombëtare maqedonase. Ndërkohë, UÇK-ja mbetet vlera më sublime e popullit shqiptar. UÇK-ja përfaqëson sakrificën për barazi, drejtësi dhe dinjitet. Për shqiptarët, UÇK-ja është simbol i përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe për ndërtimin e një shteti ku çdo qytetar do të jetë i barabartë dhe i respektuar”, shkroi Fetai.
Ministrja e arsimit, Vesna Janevska, ka deklaruar se komitët janë pjesë e historisë së Maqedonisë dhe janë pjesë e programeve arsimore.
“Komitët kanë qenë maqedonas, shqiptar, turq dhe etnikume tjera. Kanë luftuar në Luftën e Dytë Botërore kundër armikut të përbashkët dhe ne këta njerëz duhet t’i nderojmë.”, ka deklaruar ministrja, Janevska.
Kjo deklaratë e Janevskës vjen pas reagimit të BDI-së ndaj qëndrimeve të Janevskës për festimin e fëmijëve me uniforma të UÇK-së në shkollën e Çellopekut, ashtu siç nuk u bë problem me fëmijët në Aerodrom, të cilët kanë festuar me uniforma të komitëve. Ministrja Janevska tha se ushtria e UÇK-së dhe emblema e UÇK-së për këtë shtet nuk janë asgjë.
Reagoi edhe BDI. Nga atje e kanë cilësuar si qasje selektive dhe hipokrite deklaratën e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila duke komentuar ngjarjet e festimit të 28 Nëntorit nga fëmijë të veshur me uniforma të UÇK-së, tha se UÇK-ja nuk vlen asgjë për Maqedoninë, ndërsa për fëmijët e veshur si komitë në Aerodrom, tha se komitët janë pjesë e historisë së shtetit, përcjell TV21. Nga BDI kërkojnë që ministrja ta tërheqë deklaratën dhe të kërkojë falje publike.
“Deklaratat e Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, janë fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe një tentativë për të shuar kujtesën dhe sakrificat historike të popullit shqiptar. Të thuash se UÇK “nuk përfaqëson asgjë për këtë shtet” është një akt i papranueshëm, që tregon mungesë respekti ndaj një pjese të rëndësishme të popullatës dhe një përpjekje për të fshirë kontributin e shqiptarëve në këtë vend”, thanë nga BDI.