Është rritur numri i migrantëve tranzitë në Qendrën në Tabanoc

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Janar, 2025 21:49

Është rritur numri i migrantëve tranzitë në Qendrën në Tabanoc

As dimri nuk e ndalon fluksin e migrantëve. Përkundrazi është rritur numri i migrantëve që kalojnë nga Maqedonia e Veriut, për të shkuar në Evropë, krahasuar me muajt e tjerë. Në këtë periudhë të vitit, rreth 300 migrantë në muaj nga më shumë vende, e kryesisht nga Lindja, vendosen në kampin tranzitor në Tabanoc, por qëndrimi i tyre është afatshkurtër, pasi të gjithë synojnë perëndimin.

“Mbrapa meje janë këto kabina ku janë të vendosur dhjetëra migrantë nga vende të ndryshme të botës, e që thonë se pjesën më të madhe të ditës e kalojnë pikërisht brenda, për shkak të mungesës së aktiviteteve dhe për shkak të temperaturave të ulëta”, raporton Ajnur Bafqari, Gazetare.

Aktualisht në këtë kamp qëndrojnë 39 persona, nga Somalia, Afganistani, India, e Nepali. Shumica prej tyre kanë ardhur vetëm ose me shoqërinë, ndërsa e kanë braktisur vendlindjen kryesisht për shkaqe financiare. Për momentin në kamp nuk ka as fëmijë, as adoleshentë.

“Jam nga Afganistani. Kam ardhur në këtë kamp tashmë 12 ditë. Afganistani nuk është vend i mirë për biznes, për punë. Unë do të shkoj në një vend tjetër, nuk e pëlqej këtë vend. Dua të shkoj në Itali”, tha një migrant.

“Probleme me pagat, shumë probleme, India është vend jo i mirë për punë. Vetëm shokë nga India, jemi 5 shokë. Do të shkoj në ndonjë vend më të mirë, mendoj në Europë, nuk e di në cilin vend, vetëm dikund më Evropë”, shtoi një tjetër.

“Nuk kemi aktivitete, vetëm hamë pimë dhe flemë, dhe jemi në tension për të shkuar në një vend tjetër. Jam nga Nepali dhe dua të shkoj në Evropë”, tha një migrant.

“Kam punuar fermer, kam punuar në ndërtimtari, këtu nuk punoj asgjë. Unë jam vetëm, nuk e kam familjen. Isha në Bullgari, në Serbi, tani kam ardhur këtu në Maqedoni”, shtoi një tjetër.

Filip Hristov nga Shoqata e Avokatëve të Rinj në Shkup thotë se të paktën 1 herë në muaj në këtë kamp përfundojnë migrantë që kapen teksa transportohen ilegalisht. Ai thotë se janë shumë të rralla rastet kur migrantët kërkojnë azil në Maqedoni.

“Ata që vijnë nga Serbia vijnë këtu pasi në Serbi kanë punuar me vizë pune, pastaj vijnë këtu për të vazhduar në Greqi. Ata janë të njoftuar me të drejtat që u përkasin, shoqata jonë ua siguron, u themi se kanë të drejtë për azil, ndihmë ligjore dhe kështu me radhë. Kjo është qendër tranziti, ata kalojnë përmes kësaj qendre dhe vazhdojnë drejt vendeve të perëndimit, Gjermani, Francë, Itali. Azil ndodh shumë rrallë që prej këtu të kërkojë dikush”, theksoi Filip Hristov, Shoqata e Juristëve të rinj – Shkup.

Përfaqësuesit e ministrisë për Punë Sociale, Demografi dhe Rini thonë se kampi posedon 29 baraka dhe kapacitet deri në 150 migrantë. Në dispozicion janë edhe tendat e mëdha ku bashkë me to, kapaciteti i kampit shkon deri në 1000 migrantë. Nga atje njoftojnë se gjatë vitit 2024 në kampin tranzitorë në Tabanovc, kanë kaluar 2352 migrantë. Ata thonë se migrantëve u ofrohen kushte të mira, ndërsa për kujdesin shëndetësor të tyre në dispozicion janë dy mjekë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Janar, 2025 21:49
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.