Vuçiq pranon humbjen: Lista Studentore drejt shumicës parlamentare në Serbi
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke deklaruar se Lista Studentore ka dalë fituese dhe mund të sigurojë shumicën në Kuvend.
“Është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje”, ka deklaruar Vuçiq, duke iu referuar vlerësimeve paraprake të bazuara në një mostër votash.
Sipas shifrave të paraqitura prej tij, Lista Studentore pritet të fitojë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa lista e tij rreth 105. Kuvendi i Serbisë ka gjithsej 250 deputetë, ndërsa shumica parlamentare kërkon 126 mandate.
Vuçiq ka bërë të ditur se lista e tij ka marrë rreth 1.72 milionë vota, ndërsa Lista Studentore rreth 2.2 milionë.
Megjithatë, ai ka theksuar se bëhet fjalë për vlerësime paraprake dhe jo për rezultate përfundimtare.
Sipas organizatës CRTA, deri në orën 19:00 pjesëmarrja në votime kishte arritur në 67.8 për qind, dukshëm më e lartë se 55.5 për qind e regjistruar në zgjedhjet e vitit 2023.
Lista Studentore, e mbështetur nga lëvizja protestuese kundër pushtetit, është shfaqur si sfiduesja kryesore e kampit politik të Vuçiqit.
Rezultati përfundimtar dhe ndarja e mandateve pritet të konfirmohen nga Komisioni Republikan Zgjedhor. Gazeta Flaka













