Refuzojnë takimin me kryeministrin – marsh protestues për viktimat e diskotekës në Koçan”
Koçan, 10 maj 2025 – Nën moton “Marshi i Engjëjve”, familjet e viktimave dhe të lënduarve në tragjedinë e 16 marsit në diskotekën “Pulse” në Koçan kanë organizuar një marsh protestues për të kërkuar drejtësi dhe për të mos lejuar që harresa të mbulojë dhimbjen.
Në një deklaratë të shpërndarë për media, familjarët nënvizojnë se kjo është forma më e dinjitetshme për të shprehur dhimbjen, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të kujtuar institucionet se një tragjedi e tillë nuk guxon të përsëritet kurrë më.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi për fëmijët tanë, për të afërmit tanë. Ky marsh është zëri ynë, është lutja jonë publike që të mos harrohet ajo çfarë ndodhi në ‘Pulse’,” deklarojnë organizatorët e marshit.
Në të njëjtën kohë, familjet kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Hristijan Mickoski për një takim më 13 maj, duke theksuar se para dialogut politik, kërkojnë veprim konkret nga institucionet për zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe ndëshkimin e fajtorëve.
Nga zjarri shkatërrues që shpërtheu më 16 mars në diskotekën “Pulse” humbën jetën 62 persona, shumica të rinj, ndërsa rreth 200 të tjerë u plagosën – shumë prej të cilëve vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor edhe jashtë vendit.
















