Asani “telefonon” në heshtje – mesazh për Silvinhon?
Jasir Asani, një nga emrat më të dashur për tifozët kuqezi që nga ardhja e Sylvinhos në krye të kombëtares, duket se po kalon një periudhë jo të zakonshme. Pas një rikthimi të papritur në mars 2023, kur trajneri brazilian i dha besimin pa hezitim, Asani shpërbleu menjëherë me paraqitje dhe gola vendimtarë ndaj Moldavisë, Polonisë dhe Çekisë, duke u kthyer në një nga kontribuuesit kryesorë për kualifikimin në Euro 2024.
Megjithatë, në tri ndeshjet e fundit të Shqipërisë, Asani nuk është aktivizuar asnjë minutë, dhe duket se kjo ka lënë gjurmë. Sulmuesi i krahut që luan në Korenë e Jugut ka publikuar së fundmi një postim enigmatik në rrjetet sociale: një foto e vetja duke festuar si në një “telefonatë”, shoqëruar vetëm me një emoji telefoni dhe një fytyre me syze – pa asnjë fjalë tjetër.
A është ky një mesazh i koduar për Silvinhon? Një shenjë pakënaqësie apo ndoshta një paralajmërim për të mos iu përgjigjur thirrjeve në të ardhmen?
Për momentin, gjithçka mbetet në kuadër të spekulimeve. Por diçka është e qartë: lojtarët zakonisht nuk publikojnë mesazhe të tilla pa një arsye të fortë.
Asani shënoi për herë të fundit për Shqipërinë në shtator 2023 kundër Ukrainës dhe është aktivizuar në 23 ndeshje radhazi, nga marsi i vitit të kaluar deri në sfidën me Anglinë në Londër. Heshtja e tij në fushë po shoqërohet me “zëra” në rrjete sociale.
Flaka
















