Boom ndërtimi në Gostivar: Më shumë leje se çdo komunë tjetër në Maqedoni
Komuna e Gostivarit kryeson në nivel republikan për nga numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në gjashtë muajt e parë të vitit 2025. Sipas raportit gjashtëmujor të publikuar nga Sektori për Urbanizëm, Planifikim dhe Rregullim Hapësinor, janë dhënë gjithsej 149 leje ndërtimi, duke e pozicionuar këtë komunë në vendin e parë në gjithë Maqedoninë e Veriut.
“Ky gjashtëmujor e pozicionon komunën tonë në vendin e parë në nivel republikan për numrin e lejeve të ndërtimit – një dëshmi e besimit të qytetarëve dhe efikasitetit të administratës sonë,” deklaron udhëheqësi i sektorit të urbanizmit në Komunën e Gostivarit, Semir Zylbeari.
Sipas të dhënave zyrtare, nga gjithsej 149 leje të dhëna:
- 51 janë për ndërtimin e shtëpive individuale
- 15 për objekte kolektive banimi
- 4 për objekte industriale
- 56 për projekte infrastrukturore
- 23 për ndërhyrje të ndryshme, si: adaptim, ridedikim, rikonstruksion, vendosje të paneleve fotovoltaike, etj.
Zylbeari thekson se krahas lejeve, në këtë periudhë është miratuar edhe Plani Detal Urbanistik për Bllokun 27, ndërsa janë përfunduar 26 procedura për Plane Urbanistike (PU).
“Aktualisht janë në proces edhe 10 procedura për ndryshime të Planeve Detale Urbanistike (PDU), që përfshijnë pjesë të Bllokut 10, 6, 2 (në tre raste), 21, 14 dhe PGJU për Bllok 26 dhe PDU për pjesën e Bllokut 26–26a – si pjesë e një procedure të bashkuar,” shton Zylbeari.
Përfaqësuesit komunalë vlerësojnë se kjo rritje e dinamikës në dhënien e lejeve të ndërtimit është rezultat i digjitalizimit të shërbimeve, përmirësimit të koordinimit institucional dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe investitorët. Flaka
















