Mickoski reagoi ashpër ndaj Evropës: E tregoi fytyrën!
Ne mbetemi krenarë, me kokën lart. Sot Bullgaria punoi kundër nesh. Sot bota pa se me çfarë sfidash dhe padrejtësish përballemi si shtet dhe popull në shekullin e 21-të. Sot, rehatshëm dhe në sy të të gjithëve, mund t’i themi Evropës se e vërteta ka dalë në dritë, tha kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp sot.
Siç tha Mickoski nga selia e partisë, ne jemi në anën e duhur të historisë, “dhe kemi parë se edhe Bullgaria di si ta shkatërrojë anën e duhur”.
“Maqedonia është bllokuar në rrugën evropiane nga Bullgaria, por jo që tani, por që nga viti 1990. Ajo ka një agjendë dhe plan të qartë, udhëhiqet nga mendimi për shkatërrimin e kombit dhe identitetit maqedonas. Por le të lëmë një gjurmë të së vërtetës. Ky është manifesti ynë i Krushevës, duhet të mobilizohemi me të gjithë miqtë dhe aleatët tanë. Kjo është një luftë për drejtësi dhe vlera themelore. Por kjo luftë as nuk fillon dhe as nuk mbaron sot, të gjitha këto peripeci, sado tragjike të jenë për Maqedoninë, kanë një dimension suksesi”, theksoi Mickoski me rastin e votimit të raportit në PE-së për Maqedoninë e Veriut.
Sipas Kryeministrit, historia e maqedonasve bazohet në padrejtësi.
“Padrejtësitë nuk janë vetëm të bazuara në identitet, përmes kontestimit dhe tradhtisë, por edhe socio-ekonomike, ata u zhvendosën, ikën nga këtu. Sot, vetëm metodat janë të ndryshme, por thelbi është identik. Ne kurrë nuk do të përballemi me padrejtësitë nëse nuk i emërtojmë, nuk i identifikojmë dhe nuk i mposhtim”, tha Mickoski.
Parlamenti Evropian, me 461 vota pro, 121 kundër dhe 107 abstenime, miratoi sot Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut për vitet 2023 dhe 2024.
Pas një amendamenti të paraqitur nga tre grupet më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane, Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve dhe Renew Europe, u hoqën nga raporti të gjitha referencat për ‘identitet kombëtar maqedonas’ dhe ‘gjuhë maqedonase’.
Këto referenca ishin pjesë e draftit të raportit që ishte miratuar më 24 qershor nga Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, pavarësisht kundërshtimeve të forta të eurodeputetëve bullgarë, të cilët argumentuan se çështjet e identitetit kombëtar dhe të gjuhës nuk kanë vend në një raport mbi progresin e një vendi kandidat për anëtarësim, pasi shkaktojnë përçarje.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë mosmarrëveshje historike, kombëtare dhe gjuhësore që zgjasin prej dekadash.
Bullgaria ka penguar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Në verën e vitit 2022, qeveritë e atëhershme të të dy vendeve, me ndërmjetësimin e BE-së, ranë dakord për një propozim kompromisi, i cili parashikonte që Bullgaria të hiqte veton për nisjen e negociatave, me kusht që Shkupi të ndryshonte Kushtetutën, duke përfshirë në të pakicën bullgare që jeton në vend.
Propozimi ishte pranuar nga qeveria qendro–e majtë e mëparshme në Maqedoninë e Veriut, por nuk arriti të siguronte shumicën prej 2/3 në parlament, për shkak të kundërshtimit të partisë së djathtë dhe tani në pushtet, VMRO-DPMNE, të kryeministrit Hristijan Mickoski. Ky i fundit ka deklaruar se qeveria e tij nuk e pranon këtë propozim dhe nuk do të japë pëlqimin për një ndryshim të tillë kushtetues.
Si Brukseli, ashtu edhe Sofja kanë përsëritur se Maqedonia e Veriut nuk do të mund të hapë kapitujt e negociatave për anëtarësim pa ndryshimin paraprak të Kushtetutës.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, të kryer në vitin 2021, bullgarët përbëjnë vetëm 0.2% të popullsisë (rreth 3,500 persona), një shifër që Sofja e vë në dyshim, duke pretenduar se përqindja reale është shumë më e lartë. Bullgaria pohon se regjistrimi është bërë me metoda që nuk kanë garantuar përfshirjen e gjithë shtetasve bullgarë, dhe akuzon Shkupin për fshehje të pranisë historike bullgare.
Marrëdhëniet problematike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë përkeqësuar ndjeshëm me ardhjen në pushtet në Shkup të partisë VMRO-DPMNE, para një viti.
















