Qeveria lëshon 6.9 milionë euro të tjera për mbështetjen e kompanive vendore
Ministria e Financave ka realizuar pagesën e një transhe të re nga buxheti në vlerë prej 424.9 milionë denarësh, përkatësisht 6.9 milionë euro, drejt Bankës Zhvillimore për përkrahjen e kompanive vendore, përcjell Gazeta Flaka.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, me pagesën e kësaj transheje, mbështetja e përgjithshme e shtetit për ekonominë vendore arrin në 13.8 miliardë denarë apo 224.3 milionë euro, nga gjithsej 250 milionë euro të planifikuara për këtë qëllim. Mjetet janë siguruar përmes një linje kreditore nga Banka Hungareze Eksport-Import, me synim nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e sektorit privat.
Përkrahja financiare realizohet përmes plasimit të mjeteve me kushte të favorshme për kompanitë që investojnë në zhvillimin e tyre. Kreditë shpërndahen përmes bankave afariste, me normë interesi prej 1.95 për qind në nivel vjetor, afat shlyerjeje 15 vjet dhe periudhë grejs prej tre vjetësh.
Nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se buxheti i përgjithshëm i paraparë për përkrahjen e kompanive vendore është 250 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e ciklit investues që pritet të realizohet vlerësohet në rreth 300 milionë euro. Gazeta Flaka
















