A duhet ta hidhni ushqimin kur shfaqet myku? Ja çfarë duhet të dini
Myku në ushqime nuk është gjithmonë i njëjtë, por kur shfaqet, nuk mjafton të shikoni ngjyrën apo të kontrolloni erën për të kuptuar nëse ushqimi është i sigurt për t’u konsumuar.
Disa lloje myku përdoren në mënyrë të kontrolluar për prodhimin e djathërave, ndërsa të tjerat mund të prodhojnë substanca të dëmshme për shëndetin. Për këtë arsye, mënyra e trajtimit varet nga lloji i ushqimit.
Buka me myk duhet hedhur
Edhe nëse myku shihet vetëm në një pjesë të bukës, rekomandohet të hidhet e gjithë buka. Për shkak të strukturës së saj poroze, myku mund të jetë përhapur edhe në pjesët ku nuk duket. Prerja e zonës së prekur nuk garanton sigurinë e pjesës tjetër.
Cilat ushqime mund të ruhen?
Në disa ushqime të forta, si djathi i fortë, mund të hiqet myku duke prerë të paktën 2.5 centimetra përreth dhe poshtë zonës së prekur, pa e prekur mykun me thikë gjatë prerjes.
Ndërsa ushqimet e buta dhe ato me lagështi të lartë duhet të hidhen nëse shfaqin myk. Këtu përfshihen djathërat e butë, reçeli, frutat dhe perimet e buta, si dhe mishi i prekur nga myku.
Mos u mbështetni te ngjyra apo era
Ngjyra e mykut nuk tregon me siguri nëse ai është i dëmshëm. Gjithashtu, mos e nuhatni nga afër ushqimin e mykur, pasi mund të thithni spore. Nëse nuk jeni të sigurt nëse ushqimi mund të konsumohet, zgjidhja më e sigurt është ta hidhni.
Flaka













