A ka shpresë Maqedonia me presidencën hungareze?  

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Qershor, 2024 19:49

A ka shpresë Maqedonia me presidencën hungareze?  

E në takimin me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Radev tha se zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në parime dhe kritere të qarta, aspekti kryesor i të cilave është fqinjësia e mirë dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut. Ndërkaq, njohësit e proceseve politike, në rastin e Maqedonisë vënë në dukjen miqësinë e ngushtë mes kryeministrit të ardhshëm Hristijan Mickoski dhe presidentit të Hungarisë, Viktor Orban. Megjithatë, sipas tyre, kjo nuk do të ndikojë edhe shumë në afrimin tonë ndaj Unionit

Zgjerimi i qëndrueshëm dhe i bazuar në merita i BE-së, është një nga shtatë prioritetet kryesore të Hungarisë, e cila do të marrë presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 korriku. Pak ditë para përfundimit të presidencës aktuale belge, ministri hungarez i Çështjeve Evropiane Janos Boca prezantoi në një konferencë shtypi prioritetet kryesore të Hungarisë për gjashtë muajt e ardhshëm: një marrëveshje e re evropiane për konkurrencën, forcimi i politikës evropiane të mbrojtjes, një politikë zgjerimi të qëndrueshme dhe të bazuar në merita, parandalimi i migrimit të paligjshëm, e ardhmja e politikës së kohezionit, politika bujqësore e orientuar drejt fermerëve dhe sfidave demografike.

Në platformën X, ai tashmë ka shpallur programin e presidencës hungareze, si dhe sloganin “Make Europe Great Again”, që është kopje e sloganit të Donald Trump “Let’s make America great again”. Për logo është zgjedhur në Rubikon, një shpikje e arkitektit dhe profesorit hungarez Erno Rubik në vitin 1974, ndaj këtë vit shënohet 50 vjetori i lindjes së kubit “magjik” më të shitur në botë.Sipas Boca, të gjitha temat kryesore do të interpretohen përmes kornizës të detyrimit të BE-së për të garantuar sigurinë dhe paqen në Evropë. “Ne duam të gjejmë zgjidhje reale për problemet reale të Evropës”, tha Boca.

ZGJERIMI SI INVESTIM

“Zgjerimi është një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian dhe për të ruajtur këtë trend të favorshëm, është thelbësore që politika e zgjerimit të mbahet e bazuar në merita, ekuilibër dhe besueshmëri”, thuhet në programin e presidencës hungareze. Duke kujtuar se BE-ja ka kohë që është e angazhuar në ofrimin e një perspektive evropiane për Ballkanin Perëndimor, pikëpamja është se Unioni nuk mund të jetë i plotë pa aderimin e këtij rajoni. Programi thekson gjithashtu se integrimi i rajonit është i dobishëm për BE-në në aspektin ekonomik, të sigurisë dhe gjeopolitik. Presidenca hungareze njofton se do të avancojë procesin e zgjerimit në përputhje me metodologjinë e rishikuar, bazuar në raportet e KE-së, duke ndjekur një qasje të bazuar në merita, duke marrë gjithashtu parasysh kapacitetin e Unionit për të absorbuar anëtarë të rinj. “Presidenca do të përpiqet të arrijë progres të rëndësishëm me vendet kandidate dhe kandidatët potencialë. Një politikë e besueshme zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës. Një theks i veçantë duhet t’i kushtohet dialogut të rregullt politik me vendet partnere dhe mbështetjes së tyre në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës”, thuhet në program.

Presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova, e cila dje pati takim me ambasadorin e Hungarisë, Andras Klein, pret qasje të drejtë në BE në bazë të kritereve të Kopenhagës. “Presidentja falënderoi për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme nga Hungaria si mbështetëse e zëshme e integrimeve evropiane të Maqedonisë, e cila përfaqëson interesin tonë strategjik dhe kombëtar, dhe përshëndeti prioritetet e presidencës hungareze të BE-së dhe njoftimet për politikën e zgjerimit. Në atë drejtim u shkëmbyen informacione për rrjedhën e integrimeve evropiane të Maqedonisë, me ç’rast presidenti theksoi pritjen se procesi i anëtarësimit në BE do të vlerësohet drejt, në bazë të kritereve të Kopenhagës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, njohësit e proceseve politike në rastin e Maqedonisë, vënë në dukjen miqësinë e ngushtë mes kryeministrit të ardhshëm Hristijan Mickoski dhe presidentit të Hungarisë, Viktor Orban. Megjithatë, sipas tyre, kjo nuk do të ndikojë shumë në afrimin tonë ndaj Unionit.

“Në marrëdhëniet dhe politikën ndërkombëtare është shumë e rëndësishme të kesh miqësi dhe kontakte personale, sidomos me shtete të fuqishme që mund të ndikojnë në procese, por kur bëhet fjalë për Hungarinë dhe kryeministrin e saj, i cili konsiderohet si “delja e zezë” në BE dhe NATO, unë në me të vërtetë dyshoj se ne mund të kemi një ndihmë me ndikim në afrimin tonë ndaj Unionit, veçanërisht pasi komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhey, i cili vjen nga partia e Viktor Orbanit, ka thënë qartë dhe pa mëdyshje se ne si vend duhet të votojmë për ndryshimet kushtetuese për të filluar negociatat, pra të zbatohet propozimi francez. Që do të thotë se nuk do të ketë ndryshim të plotë të politikës së BE-së ndaj nesh, pavarësisht se miqtë e qeverisë sonë të re do të jenë kryesues të Bashkimit Evropian nga 1 korriku i këtij viti”, ka deklaruar për KOHA, Bllagojçe Atanasoski.

SOFJA KËRKON PËRMBUSHJEN E DETYRIMEVE

Nëse pritshmëritë e Bokës të përcjella në një pjesë të mediave evropiane do të përmbushen, të mbahen konferenca ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që Serbia të hapë një kalster të ri dhe që Mali i Zi të mbyll sa më shumë, është plotësisht e pasigurt për momentin. Para RMV-së është kushti që vendi të zbatojë ndryshimet kushtetuese dhe zëvendësministri bullgar i Punëve të Jashtme, Ivan Kondov, pak ditë më parë dërgoi një mesazh se Sofja “do të vazhdojë të insistojë kategorikisht në domosdoshmërinë që Shkupi të përmbushë detyrimet e veta ndër të cilat vend kyç zë çështja e garantimit të të drejtave të bullgarëve”.

Presidenti bullgar Rumen Radev, i cili në fund të majit u takua në Budapest me homologun e tij hungarez Tamas Suljok, iu referua konkretisht perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Të dyja palët besojnë se që procesi i zgjerimit të jetë i qëndrueshëm, duhet të bazohet në raportimin e meritave të secilit vend, si dhe në përmbushjen e kritereve të qarta dhe parimeve evropiane. Rumen Radev shprehu shqetësimin për deklaratat e fundit të disa politikanëve kryesorë që fituan zgjedhjet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat janë në kundërshtim me konsensusin e përbashkët evropian të arritur në korrik 2022 për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit. Presidenti hungarez Suljok deklaroi në bisedimet plenare se gjatë presidencës së ardhshme hungareze të Këshillit të BE-së, ata do të përpiqen të respektojnë detyrimet e ndërmarra deri më tani nga vendet kandidate potenciale në rrugën evropiane që kanë marrë”, thuhet në kumtesën e kabinetit të presidentit bullgar.

E në takimin me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Radev tha se zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në parime dhe kritere të qarta, aspekti kryesor i të cilave është fqinjësia e mirë dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut. (koha.mk)

127
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Qershor, 2024 19:49
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
127
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?