Alarm për pensionet: 51 milionë euro nga kontributet nuk janë transferuar në shtyllën e dytë, thonë nga LSDM
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzon Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se deri më 31 tetor nuk ka transferuar 51 milionë euro nga kontributet pensionale të qytetarëve në shtyllën e dytë pensionale.
Sipas LSDM-së, bëhet fjalë për mjete që punëtorët i ndajnë çdo muaj nga pagat e tyre, me qëllim sigurimin e një pensioni të qëndrueshëm dhe dinjitoz. Partia pretendon se vonesa vë në rrezik kursimet pensionale të më shumë se 650 mijë qytetarëve.
Nga LSDM theksojnë se institucionet përgjegjëse, përkatësisht Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPIM), kanë detyrim ligjor që kontributet në shtyllën e dytë t’i transferojnë brenda pesë ditëve, ndërsa sipas tyre, në këtë rast kanë kaluar muaj.
„Institucionet, Fondi i PIOSM-së, kanë obligim ligjor që kontributet në shtyllën e dytë pensionale t’i transferojnë brenda pesë ditëve. Ndërsa kanë kaluar muaj. Kjo sjell përgjegjësi penale, e cila duhet të nisë nga drejtori i Fondit të PIOSM-së, Nikola Memov“, thuhet në reagimin e partisë.
LSDM kërkon që mjetet të transferohen menjëherë dhe që Prokuroria Publike të ndërmarrë veprime për të përcaktuar përgjegjësinë për vonesën.
„Punëtorët i kanë fituar këto para me punën e tyre. Pushteti ka obligim t’i transferojë, ndërsa përgjegjësit për vonesën duhet të japin llogari“, theksojnë nga partia.
Deri më tani, bëhet fjalë për akuza dhe kërkesa të paraqitura nga LSDM, ndërsa përgjegjësia eventuale e institucioneve dhe personave të përmendur duhet të përcaktohet nga organet kompetente. Flaka Media















