Arbana Pasholli kërkon llogari për rrugën Dibër–Kërçovë: Kur do të përfundojë segmenti Burim–Ura e Garit?
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbana Pasholli, i ka drejtuar pyetje parlamentare me shkrim zëvendëskryeministrit Bekim Sali, lidhur me përfundimin e rrugës Dibër–Kërçovë, me fokus të veçantë në segmentin Burim–Ura e Garit.
Pasholli kërkon nga zëvendëskryeministri Sali sqarime konkrete për dinamikën e punimeve, sigurimin e mjeteve financiare dhe afatet kur pritet të përfundojë ky segment rrugor.
“Meqë zëvendëskryeministri Bekim Sali zotohet të marrë përsipër punë të mëdha, edhe një pyetje parlamentare me shkrim për përfundimin e rrugës Dibër–Kërçovë, konkretisht segmentit Burim–Ura e Garit”, ka deklaruar Pasholli.
Sipas deputetes së BDI-së, përfundimi i këtij segmenti do të kishte rëndësi të veçantë për përmirësimin e lidhjes rrugore të Dibrës me Kërçovën dhe, përmes saj, për qasjen në Korridorin VIII.
Ajo ka theksuar se rëndësia e projektit tejkalon dimensionin lokal, pasi lidhet edhe me qarkullimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e vendkalimit kufitar Bllatë dhe Rrugës së Arbërit, kjo rrugë ka rëndësi edhe për qarkullimin ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Pasholli.
Deputetja ka rikujtuar se punimet për këtë projekt kanë nisur në vitin 2022, ndërsa sipas të dhënave të publikuara në shkurt të vitit 2024, realizimi i tyre kishte arritur rreth 75 për qind.
Ajo gjithashtu ka rikthyer në vëmendje se amendamentet e parashtruara nga grupi parlamentar për këtë rrugë nuk kishin marrë mbështetjen e shumicës parlamentare.
“Amendamentet që si grup parlamentar kemi parashtruar për këtë rrugë nuk janë pranuar nga zëvendësministri i Financave dhe nuk kanë marrë mbështetjen e shumicës parlamentare”, ka bërë të ditur deputetja.
Në fund, Pasholli ka shprehur pritjen që kësaj radhe përgjigjja institucionale të mos mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të përmbajë zotime dhe afate të qarta.
“Uroj që këtë herë përgjigjja të përmbajë angazhime konkrete, sqarime për financimin dhe afate të përcaktuara për përfundimin e punimeve!”, ka përfunduar ajo.
Përfundimi i rrugës Dibër–Kërçovë mbetet një çështje me rëndësi infrastrukturore për rajonin e Dibrës, por edhe për lidhjet ndërkufitare dhe qarkullimin drejt Korridorit VIII. Pyetja parlamentare synon të marrë përgjigje se kur ky projekt, i nisur në vitin 2022, do të përfundojë dhe kur qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë plotësisht këtë lidhje rrugore.
Flaka















