ASH: 139 fëmijë të trajtuar në Pediatrinë e Tetovës për 48 orë, 12 janë hospitalizuar
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me numrin e fëmijëve që, sipas saj, janë paraqitur në Repartin e Pediatrisë në Tetovë gjatë 48 orëve të fundit.
Nga ASH thonë se bëhet fjalë për 139 fëmijë, prej të cilëve 12 janë hospitalizuar, ndërsa simptomat kryesore, sipas tyre, janë temperatura, të vjellat dhe diarreja.
“Ku janë sot alarmet? Ku janë konferencat për shtyp? Ku janë ministrat, drejtorët dhe gjithë ata që në Gostivar numëronin çdo kontroll dhe çdo paraqitje si argument për të krijuar panik publik?”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Partia opozitare pretendon se gjatë rastit të ujit në Gostivar janë publikuar shifra kumulative, ku, sipas saj, janë përfshirë kontrolle të përsëritura, kontakte me institucionet shëndetësore, telefonata dhe këshillime.
“Në Gostivar u publikuan shifra kumulative ku futeshin kontrolle të përsëritura, kontakte me institucionet shëndetësore, telefonata dhe këshillime. Numrat u përdorën politikisht ditë pas dite, ndërsa numri real i të hospitalizuarve ishte shumë më i vogël”, thekson ASH.
Duke iu referuar situatës në Tetovë, Aleanca pyet pse, sipas saj, institucionet nuk reagojnë me të njëjtin intensitet.
“Sot kemi 12 fëmijë të hospitalizuar vetëm në Pediatrinë e Tetovës brenda 48 orëve. Pse tani heshtin?”, thuhet në reagim.
Nga ASH theksojnë se shëndeti publik nuk duhet të trajtohet në bazë të përkatësisë politike apo komunës.
“Shëndeti publik nuk mund të trajtohet sipas komunës, kryetarit apo interesit politik të ditës. Kur shifrat përdoren për sulm politik në Gostivar, ndërsa për shifra serioze në Tetovë zgjidhet heshtja, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje”, thuhet më tej.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që, sipas saj, të zbatohen të njëjtat kritere dhe standarde në trajtimin e situatave që lidhen me shëndetin publik.
“Të njëjtat kritere, të njëjtat standarde dhe e njëjta përgjegjësi për të gjithë”, përfundon reagimi.













