ASHMAA dënon kërcënimet ndaj gazetares Milka Smilevska: Thirrjet për dhunë fizike janë të papranueshme
Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele reagon ndaj përmbajtjeve kërcënuese të publikuara në Facebook kundër gazetares Milka Smilevska, duke kërkuar nga institucionet kompetente trajtimin serioz të rastit dhe marrjen e masave përkatëse.
Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) ka reaguar ndaj kërcënimeve dhe thirrjeve për dhunë fizike të publikuara në rrjetin social Facebook kundër gazetares Milka Smilevska.
Nga Agjencia vlerësojnë se përmbajtjet e publikuara, përveç karakterit fyes dhe shqetësues, përmbajnë edhe kërcënime të drejtpërdrejta dhe nxitje për dhunë fizike.
“Mesazhe të tilla janë veçanërisht shqetësuese, sepse e tejkalojnë kufirin e shprehjes së lejuar të mospajtimit dhe kritikës”, thuhet në reagimin e ASHMAA-së.
Agjencia thekson se çdo individ ka të drejtë të mos pajtohet me qëndrimet, mendimet dhe veprimet profesionale të gazetarëve, si dhe t’i shprehë publikisht kritikat e tij. Megjithatë, sipas saj, mospajtimi duhet të shprehet përmes debatit të argumentuar, fakteve dhe qëndrimeve të bazuara, e jo përmes fyerjeve, diskreditimit personal, frikësimit apo thirrjeve për dhunë.
Si shembull të përmbajtjeve shqetësuese, Agjencia përmend komentet e publikuara nën një fotomontazh me portretin e gazetares, ku ndër të tjera shkruhej: “Thyerje të eshtrave të kurvave të paguara nga Satani Soros”.
“Komente të tilla përmbajnë thirrje eksplicite për dhunë fizike. Mesazhe të këtij lloji nuk përbëjnë mënyrë legjitime të shprehjes së mospajtimit dhe nuk mund të arsyetohen me thirrjen në lirinë e shprehjes”, theksohet në reagim.
ASHMAA rikujton se hapësira digjitale nuk është jashtë mekanizmave dhe rregullave për mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit personal. Për këtë arsye, institucionet kompetente duhet t’i trajtojnë me seriozitet rastet e tilla dhe të ndërmarrin masa në kuadër të kompetencave të tyre ligjore.
Në fund, Agjencia thekson se në një shoqëri demokratike dallimet në qëndrime dhe mendime duhet të përballen përmes debatit të argumentuar dhe jo përmes kërcënimeve e dhunës.
“Respektimi i këtij parimi është veçanërisht i rëndësishëm për krijimin e një mjedisi në të cilin gazetarët do të mund ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm, në mënyrë të pavarur dhe pa frikë”, thuhet në reagimin e ASHMAA-së. Gazeta Flaka











