AUV ka kapur 96 krerë gjedhë në Kriva Pallankë, përballet me pengesa nga ish-pronarët
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) deri më tani ka kapur 96 krerë gjedhë në Kriva Pallankë, ndërsa po punon për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për problemin, në koordinim me institucionet kompetente dhe pushtetin lokal.
Nga AUV-ja për agjencinë e lajmeve MIA bëjnë të ditur se procesi po përballet me disa vështirësi, kryesisht për shkak të terrenit të paarritshëm dhe pengesave nga ish-pronarët e kafshëve.
„AUV-ja po ndërmerr aktivitete për zgjidhjen e problemit me gjedhët, përkatësisht për kapjen e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballet. Po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të qëndrueshme, në koordinim me të gjitha institucionet kompetente, përfshirë edhe pushtetin lokal”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
Nga AUV-ja theksojnë se aktivitetet synojnë zgjidhjen e problemit brenda kompetencave ligjore të secilit institucion, duke pasur parasysh mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mirëqenien e kafshëve.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, dy ditë më parë kërkoi nga Qeveria dhe AUV-ja që të gjejnë një mundësi ligjore për zgjidhjen e problemit me bagëtinë.
Ai theksoi se qytetarët prej kohësh po pësojnë dëme materiale, ndërsa vendimet e plotfuqishme dhe të ekzekutueshme për konfiskimin e kafshëve, të cilat ekzistojnë prej më shumë se dy vjetësh, ende nuk janë zbatuar plotësisht.
Mitovski bëri të ditur se sot, së bashku me bashkëqytetarë, ka dorëzuar disa kallëzime penale për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moszbatim të vendimeve për konfiskimin e bagëtisë dhe rrezikim të sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve.
„Kërkojmë të hetohet përgjegjësia e zyrtarëve kompetentë në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari dhe Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar”, ka shkruar Mitovski në profilin e tij në Facebook.
Ai njoftoi gjithashtu se është dorëzuar ankesë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese pranë Inspektoratit Shtetëror Administrativ.
Flaka















