BDI: Presion skandaloz dhe i papranueshëm nga VLEN ndaj drejtësisë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të koalicionit VLEN, duke i cilësuar ato si “presion skandaloz dhe të papranueshëm” ndaj prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë.
BDI thotë se opinioni publik është skandalizuar nga reagimi i VLEN-it dhe, siç thekson, nga “apostrofimi” i drejtpërdrejtë i prokurorisë.
“Komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi raporton për presione qeveritare ndaj prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa VLEN këtë dyshim e konfirmoi sot publikisht”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, edhe raportet e Bashkimit Evropian kanë ngritur shqetësime për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.
“Prokuroria dhe gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk i duhet as qytetarëve e as Maqedonisë së Veriut”, thekson BDI.
Partia opozitare shqiptare bën të ditur se këtë shqetësim ua ka paraqitur edhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përfshirë, siç thotë, edhe komunikatën e sotme të VLEN-it.
BDI kërkon “drejtësi evropiane dhe joselektive”, duke theksuar se prokurorët duhet të veprojnë në bazë të ligjit, provave dhe ekspertizave, e jo sipas “urdhëresave dhe dëshirave partiake”.
Në reagim, BDI akuzon VLEN-in se, përmes përndjekjeve politike dhe presionit ndaj prokurorisë, po tenton të kamuflojë atë që e cilëson si “paaftësi dhe dështim të tërësishëm”.
Në fund, BDI i bën thirrje VLEN-it që, para se të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët, të nisë denoncimet, siç shprehet partia, “nga radhët e veta”.
Në këtë kontekst, BDI përmend emrat e Izet Mexhitit dhe Visar Ganoit, duke ngritur pretendime për mbi 250 milionë euro dëm të lidhur me ndërtime pa leje, Burim Latifin për pretendimin për mbi 19 milionë euro dëm ndaj buxhetit, si dhe Nedim Ramën dhe persona të tjerë që BDI i lidh me përgjegjësi të mundshme.
Këto janë pretendime politike të BDI-së dhe përgjegjësia eventuale e personave të përmendur duhet të përcaktohet nga institucionet kompetente, mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore.
VLEN: Po bëhen gati gjashtë muaj nga caktimi i arrestit shtëpiak për kutinë e zezë të BDI-së, Artan Grubin, në rastin “Lotaria”, ndërsa nga aktakuza ende s’ka nam e nishan. Më 22 gusht skadon afati maksimal i kësaj mase, kurse Prokuroria vazhdon me hapa breshke, qëndron në kumtesën e VLEN-it.
VLEN ka ngritur dyshime se mos vallë Artan Grubi është rrëfyer për shumëçka, prandaj edhe çështja po zvarritet.”Ndërkohë, pluhur ka zënë edhe dosja për të cilën Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane dhe opinioni me të drejtë pyet se ku ka mbërritur kjo çështje.
Partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e futi Grubin në listën e zezë për korrupsion të nivelit të lartë. Ai dhe gjykatësi Enver Bexheti pranuan ryshfet për ta liruar nga burgu Sasho Mijallkovin.Artan Grubi nuk është dosido ish-funksionar. Ai është kutia e zezë e BDI-së. E di kush i tërhiqte pejtë, kush i ndante pazaret dhe në cilët xhepa përfundonin paratë e kumarit. Prandaj, Ali Ahmeti ka arsye të flejë me njërin sy hapur e tjetrin te Grubi”, thuhet në reagim.
“Për t’ia hequr sikletin Ali Ahmetit dhe për t’i dhënë opinionit një pasqyrë të qartë, VLEN kërkon nga Prokuroria të mos luajë kukafshehta me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin “Lotaria”, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane”, thonë nga VLEN. Gazeta Flaka












