BDI: VLEN po tenton ta zhvendosë vëmendjen nga Phoenix Pharma, Taravari mohon përgjegjësinë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka mohuar çdo përgjegjësi të tij dhe të institucionit që ka drejtuar lidhur me shitjen e kompanisë “Phoenix Pharma”, duke theksuar se transaksionet ndërmjet kompanive private nuk janë në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Duke iu përgjigjur akuzave të ngritura sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), sipas të cilave kompania është shitur më 3 prill 2025, Taravari ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë informacion për shitblerjen dhe as për palët e përfshira në këtë proces.
“Kompanitë private, kush i shet dhe kush i blen, nuk janë çështje që bien në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk kam pasur asnjë informacion se kush e ka shitur apo blerë ndonjë kompani të caktuar. Kjo nuk është përgjegjësi e ministrit dhe as e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka deklaruar Taravari për TV Koha.
Reagimi i ish-ministrit vjen pas pretendimeve të BDI-së se VLEN-i po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga çështja e shitjes së “Phoenix Pharma”, duke ia bartur përgjegjësinë ish-ministrit të Shëndetësisë.
Nga BDI kanë theksuar se Ministria e Shëndetësisë nuk ka kompetenca për miratimin e shitblerjeve të kompanive private, pasi për këtë është përgjegjës Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili, sipas dokumenteve të përmendura nga BDI, ka miratuar transaksionin.
Partia opozitare ka ngritur gjithashtu çështjen e përfaqësimit të VLEN-it në këtë Komision, duke kërkuar që përgjegjësia të kërkohet te institucioni kompetent dhe jo te Ministria e Shëndetësisë.
Deklaratat e Taravarit hedhin poshtë pretendimet për përgjegjësi të drejtpërdrejtë të tij në procesin e shitjes, ndërsa debati politik për transaksionin e “Phoenix Pharma” mbetet i hapur. Flaka














