BE-ja ndalon eksportin e plastikës në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2029
Bashkimi Evropian nga sot, 21 nëntor, ndalon eksportin e mbetjeve plastike në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera që nuk janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Ndalimi do të jetë në fuqi të paktën deri më 21 maj 2029 dhe përfshin edhe mbetjet e pastra, jo të rrezikshme plastike, të destinuara për riciklim.
Ky vendim mund ta mbrojë Maqedoninë e Veriut nga importi i sasive të konsiderueshme të mbetjeve plastike nga vendet e BE-së, të cilat më pas përpunohen në vend, në kushte që kanë ngritur shqetësime për sigurinë mjedisore dhe shëndetin publik.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 2024 vendet anëtare të BE-së kanë raportuar eksportin e 323,5 tonëve mbetje plastike në Maqedoninë e Veriut, me vlerë rreth 46.400 dollarë. Sasitë më të mëdha janë dërguar nga Kroacia dhe Greqia. Megjithatë, këto të dhëna nuk përfshijnë vëllimin e dërgesave gjatë vitit 2026.
Komisioni Evropian shpjegon se përmes këtij ndalimi synon të parandalojë që mbetjet e krijuara në territorin e BE-së të shkaktojnë ndotje dhe rreziqe shëndetësore në vendet e tjera.
„Një nga prioritetet tona është ndalimi i ndotjes nga plastika“, deklaroi të premten komisionerja evropiane për Mjedisin, Jessica Roswall, duke theksuar nevojën për një marrëveshje globale për përballjen me ndotjen plastike.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut më herët i kishte kërkuar Komisionit Evropian leje për vazhdimin e pranimit të disa kategorive të mbetjeve jo të rrezikshme, përfshirë letrën, qelqin, metalet dhe mbetjet organike. Plastika nuk ishte përfshirë në këtë kërkesë.
Për kategoritë e tjera, nga maji i vitit 2027 do të zbatohen kufizime të veçanta, me mundësi për përjashtime të miratuara.
Pas 21 majit 2029, Maqedonia e Veriut mund të kërkojë leje për rifillimin e pranimit të mbetjeve plastike jo të rrezikshme nga BE-ja, por vetëm nëse dëshmon se disponon kapacitete për trajtimin e tyre në mënyrë të sigurt. Miratimi i një kërkese të tillë nuk do të jetë automatik.
Duhet theksuar se ndalimi vlen vetëm për eksportet nga Bashkimi Evropian dhe nuk përbën ndalim të përgjithshëm të importit të mbetjeve plastike në Maqedoninë e Veriut nga të gjitha shtetet e tjera.
Flaka















